Lajme
Haradinaj në Istog: Me ish-presidentin Rugova jemi marrë vesh me dy fjalë për pesë minuta
Demokracia
18:31 | 08 Shkurt 2021

Share:

Kandidati për president nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj beson se Kosova shumë shpejt do të jetë anëtare e NATO-s, apo do të bashkohet me Shqipërinë.

Derisa theksoi se ka shumë çështje të cilat duhet të përmbyllen për shtet-ndërtimin e Kosovës, ai ka përmendur edhe përballjen me Serbinë, ku tha se vendi ka nevojë që të ketë prijës i cili nuk merr leje nga ky vend.

Në tubimin zgjedhor sot në Istog, Haradinaj ka thënë se është mirënjohës bashkëluftëtarëve për liri. Ai tha se është i lidhur shumë me këtë vend, pasi që është edhe vendlindja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Me dy fjalë jemi marrë vesh me presidentin Rugova edhe atë për pesë minuta me qeveris bashkë në vitin 2004. A e dini pse? Kemi pasur një qëllim të thjesht, që të bëhet Kosova e pavarur edhe me e forcuar ose me afruar Kosovën me Amerikën. Krejt thjesht ka qenë, të pavarur edhe me Amerikën. Për fat i mbërritëm këto dyja, por me shumë vuajtje e me shumë vështirësi. Disa të tjerë që e luftonin presidentin që nuk e kuptonin se çfarë bën, e disa të tjerë që u fshehshin pas emrit të tij, por nuk u mërzitshin hiç se çfarë ka besuar ai, janë bërë sot bashkë edhe po mundohen me na tregu për ato vlera të atëhershme”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas tij, Kosova ende nuk ka mbyllur shumë çështje, për këto ai theksoi se qytetarët janë lodhur nga korrupsioni. Haradinaj shtoi se AAK e ka një plan qeverisës, i cili është serioz për të cilin kanë punuar edhe ekspertë të jashtëm.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka kandidat për kryeministër, ani pse Ramush Haradinaj është bartës i listës, pasi synon vetëm postin e presidentit.

“Vetëm dikush që ka përvojë për t’u ballafaquar me Serbinë dhe për t’i kryer punët pa marrë leje prej Serbisë, pa e pritur Serbinë në disa raste edhe prej të tjerëve. Për fat të mirë unë e kam këtë përvojë. Siç e dini përballjet e mia me Serbinë janë të hershme, janë të brezave janë të 6 majit ’97 kur është vrarë Luani, të 24 marsit ’98 kur e kemi prapësuar Millosheviqin, deri te kryeministri që nuk e kemi pyetur askënd. Por me aminin e aleatëve tonë të sigurisë, me aminin e Amerikës kemi bërë ushtrinë, kemi kryer Trepçën, kemi kryer pavarësimin energjetik të Kosovës”, ka thënë ai.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës premtoi edhe fuqizim të Ushtrisë së Kosovës, e po ashtu anëtarësim në NATO dhe OKB. Kështu, siç tha ai para qytetarëve te Istogut, Kosova do të hyjë në NATO e pavarur, ose të bashkuar me Shqipërinë në union.

“Ose do të hyjmë në NATO si Kosovë e pavarur, ose do të hyjmë të bashkuar me Shqipërinë në union. Nëse vazhdojmë më tutje me vonuar vetën, nuk na ka faj askush”, ka thënë Haradinaj.

Kandidati për deputet, Bekë Berisha iu ka premtuar qytetarëve se me punë dhe përkushtim do të kthejnë vullnetin e tyre, duke kthyer Istogun në qendër të turizmit në rajon.

“Ju premtoj se tani qytetarët e Mbivadja do të kenë ujë të pijes pas 20 vjetësh, Banja ujësjellësin e ri, Istogu me shesh e park të ri, bjeshkët me rrugë të reja, palestra dhe shkolla të reja, kanale të ujitjes, të gjitha… Gjatë mandatit si kryeministër të kryetarit Haradinaj të gjitha projektet nga Istogu kanë gjetur mbështetje të plot për implementimin e tyre. Me gjithë këto bukuri që ka Istogu ne do të bëjmë Istogun qendër të turizmit në rajon. Dhe kjo do të ketë zhvillim ekonomik që do të ndikojë në rritjen e vendeve të punës”, ka deklaruar Berisha.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Istog, Gani Dreshaj derisa ka theksuar se në këto zgjedhje nuk mund të garojë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka bërë thirrje që të votohet një kandidat tjetër, i cili ka mbiemrin e tij, Shemsedin Dreshaj.

“Unë ju kam thënë shpesh herë që jam ‘taksiratli’, po taksirat për mirë. Kam pasur një dënim 30 euro dhe e pata fat, nuk më la Gjykata Kushtetuese të vazhdoj më shumë, por nuk do të thotë që u heq nga lista Dreshaj, janë hequr miqtë e Ramushit, e kanë dëmtuar Aleancën. Dy herë më shumë do të përpiqem për kandidatët e ardhshëm, për presidentin Haradinaj”, ka deklaruar ai.

AAK pretendon përfshirjen në qeveri, ku sipas programit të tyre qeverisës është premtuar fond 1 miliard euro. Aleanca ka paraparë ndarjen e 100 eurove për secilin qytetar, gjithashtu subvencionim të pagave për punëtorët.

Të ngjashme