Lajme
Ish-kryediplomatja Haradinaj: Mostransparenca e Gërvallës për takimin me ministrin palestinez dëmton raportet me Izraelin
Demokracia
14:09 | 05 Prill 2022

Share:

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka reaguar pasi kryediplomatja Donika Gërvalla-Schwarz e ka mbajtur të fshehtë takimin me homologun e saj palestinez, Riyad Al-Maliki, në Forumin Diplomatik në Antalia të Turqisë, i cili u mbajt me 11-13 mars.

Demokracia.com ishte mediumi i parë që raportoi se Gërvalla e kishte mbajtur të fshehtë këtë takim me ministrin palestinez.

Në takimin mes Gërvallës dhe Al-Maliki ishte diskutuar edhe çështja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ish-kryediplomatja Meliza Haradinaj, e cila ka thënë se mostransparenca e Gërvallës rreth takimit të saj me ministrin palestinez e dëmton Kosovën dhe marrëdhënien e re me Izraelin.

Sipas saj, Kosova nuk ka asnjë përgjegjësi morale ndaj Palestinës dhe ministrja nuk është dashur të ndihet në borxh, duke e mbajtur larg publikut.

Haradinaj ka thënë se autoritetet palestineze e kanë ndihmuar Serbinë në përpjekjet për kampanjën kundër Kosovës, duke shfrytëzuar lidhjen e tyre të ngushtë me disa shtete në Lindjen e Mesme.

Postimi i plotë i ish-kryediplomates Meliza Haradinaj:

KOSOVA TË MOS DËMTOJË MARRËDHËNIEN E RE ME IZRAELIN!

Raportimi pas gati një muaji se MPJD Donika Gërvalla Schwarz qenka takuar me Ministrin e Jashtëm të autoriteteve palestineze Al-Maliki gjatë forumit të Antalyas, flet shumë për mungesën e konfidencës politike dhe pazotësisë diplomatike për të qëndruar fort me dy këmbë në tokë prapa qëndrimeve e interesave tona si shtet e si popull.

Mostransparenca e Ministres rreth takimit të saj me ministrin palestinez e dëmton Kosovën, dëmton marrëdhënien e re me Izraelin ende pa u konsoliduar mirë, dëmton interesat afatgjate të Kosovës për të siguruar njohje të reja nga shtetet e Lindjes së Mesme, dhe ndihmon pozicionin e Serbisë per të forcuar ‘koalicionin ndërkombëtar’ kundër subjektivitetit të shtetit tonë.

Kosova përveç që ka punuar shumë për të ndërtuar marrëdhënie zyrtare diplomatike me Shtetin e Izraelit, ka bërë përpjekje të mëdha për të zbrapsur kampanjën ilegale të Serbisë për të penguar e dëmtuar njohjet ekzistuese dhe ato potenciale të Republikës së Kosovës. Këtu, me vite të tëra tashmë dihet se është ndihmuar shumë nga autoritetet palestineze, duke shfrytëzuar lidhjen e tyre të ngushtë historike me disa shtete të Lindjes së Mesme. Mos të harrojmë se kjo kampanjë kishte ndodhur ende pa vendosur Kosova marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe ende pa vendosur për hapjen e ambasadës në Jerusalem!

Prandaj Kosova nuk ka asnjë përgjegjësi morale ndaj Palestinës, dhe Ministrja nuk është dashur të ndihet në borxh duke e mbajtur larg publikut!

Ajo është dashur t’i rendisë qartë në takim dhe poashtu menjëherë në njoftimin publik të gjitha argumentet e Kosovës, sepse jemi në të drejtën tonë që na takon si shtet sovran. Për më shumë, vendimi i Kosovës për hapjen e ambasadës në Jerusalem në mars 2021 NË ASNJË MËNYRË nuk ishte vendim pro apo kundër Izraelit apo Palestinës. Kosova thjeshtë ka përcjellë praktikën diplomatike të vendosjes së ambasadës aty ku shteti pritës e konsideron kryeqytet dhe seli administrative të qeverisë. Meqë sensitiviteti i kësaj teme ishte i lartë, jemi kujdesur që objekti i ambasadës sonë të jetë në pjesën perëndimore shumë afër ambasadës amerikane, dhe jo në pjesën lindore të qytetit që sipas Marrëveshjes së Oslos së vitit 1993 i takon Palestinës.

Heshtja e Ministres sonë hodhi poshtë gjithë këtë mund, duke ia dhuruar terrenin diplomatik vetëm Palestinës dhe Serbisë për të amplifikuar mesazhet e interesit të tyre që bie ndesh me interesat shtetërore të Kosovës dhe duke vendosur Kosovën automatikisht në pozicion defanziv dhe të dëmshëm.

MPJD duhet urgjentisht të sqarohet me një deklaratë publike në shqip dhe anglisht rreth takimit, temave, dhe pozicionit të Kosovës rreth asaj që ka deklaruar MPJ e autoriteteve palestineze pas takimit me Kosovën, për të riparuar dëmin tashmë të shkaktuar me Shtetin mik të Izraelit. /Demokracia.com/ 

LEXO EDHE:

Gërvalla diskutoi mbylljen e ambasadës në Jerusalem, nuk e beri publik takimin me kryediplomatin palestinez

Takimi i fshehtë i Gërvallës me kryediplomatin palestinez bën “bujë” edhe në Serbi

Të ngjashme