Lajme
Haradinaj: Lajm i mrekullueshëm votimi i Ligjit për zgjedhjet nacionale në Kosovë
Demokracia
22:37 | 08 Qershor 2023

Share:

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka mirëpritur lajmin për Ligjin për zgjedhjet nacionale në Kosovë.

Haradinaj përmes një postimi ka thënë se ky ligj nuk paraqet një reformë thelbësore të sistemit zgjedhor, por ka adresuar disa prej shqetësimeve serioze.

“Votimi me konsensus nga të gjitha partitë politike i Ligjit për zgjedhjet nacionale në Kosovë, është një lajm i mrekullueshëm! Ky ligj nuk paraqet një reformë thelbësore të sistemit zgjedhor, por ka adresuar disa prej shqetësimeve serioze, që kanë qenë brengë jo vetëm e jona por edhe e partnerëve ndërkombëtar!”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, ky Ligj lehtëson në masë të madhe votimin e bashkëkombësve tanë në diasporë, duke e mundësuar votimin fizik në përfaqësi diplomatike si dhe votimin me postë.

“Ai e lehtëson në masë të madhe votimin e bashkëkombësve tanë në diasporë, duke e mundësuar votimin fizik në përfaqësi diplomatike si dhe votimin me postë, garanton numërim transparent e të mbikëqyrur të votave për kandidatë, shkurton kohën e numërimit për parti politike, heqë heshtjen zgjedhore që ishte shndërruar në kurth për ndëshkimin e subjekteve zgjedhore, inkurajon partitë politike që të kandidojnë më shumë gra, si dhe disa ndryshime të tjera që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e zgjedhjeve në Kosovë!”, ka shkruar kreu i AAK-së.

“Po ashtu jam shumë i lumtur që edhe përfaqësuesit e Aleancës, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në hartimin e këtij Ligji, por edhe në arritjen e konsensusit politik i cili ka reflektuar edhe në votimin e sotëm në Parlament!”, ka përfunduar Haradinaj.

Të ngjashme