Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në seancën e së enjtes kërkoi që të shtyhen zgjedhjet e 23 prillit në Veri.
Të enjten gjatë seancës së Kuvendit, kryetari i AAK-së, ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri një kërkesë për presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti. Ai kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve në Veri.
“Unë i bëj thirrje qeverisë, presidentes, institucioneve të vendit që ta marrin me seriozitet gjendjen në Veri dhe ta marrin një vendim në lidhje me këtë situatë. Cili do të ishte ky vendim, unë besoj shumë që do të ishte shtyrja e zgjedhjeve. E di se plot prej jush mendoni me bindjen tuaja, analizën tuaj dhe keni argumente që i bazoni në të drejtën kushtetuese dhe ligjore, mirëpo mos harroni, terreni është pikënisja e suksesit. Nëse gjendjen në terren e ki çfarë e ki, atëherë mos e lejoni me shku ditën e fundit dhe pastaj me pranu humbjen. Është ma mirë me u ndal me kohë, me gjet një formulë më ec përpara sesa me vazhdu me fshehjen totale. Të vetmit që mbajnë sot kujdesin institucional atje janë njësitë policore, e katër prej tyre janë në burg. Mos lejoni me shku kësaj rruge”, tha Haradinaj.
Pas kësaj deklarate, janë pyetur edhe dy partitë tjera opozitare për qëndrimin e tyre. Nga PDK deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje, ndërsa nga LDK kanë folur nënkryetari i partisë Lutfi Haziri dhe zëdhënësja politike Sibel Halimi.
Haziri ka thënë se Qeveria po dështon të krijojë kushte të mira zgjedhore për qytetarët e saj.
“Është punë e KQZ-së dhe organeve tjera shtetërore duke përfshirë Qeverinë dhe Presidenten. Partitë politike nuk kanë asnjë arsye me ndërhy në procese të tilla. Qeveria po dështon me kriju kushte të mira zgjedhore për qytetarët e saj”, ka thënë Haziri për Express.
Njëjtë ka deklaruar edhe zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi.
“Zgjedhjet në veri janë çështje që duhet trajtuar nga institucionet përkatëse si Presidenca, KQZ dhe Institucionet e Sigurisë. Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve apo jo nuk lidhet me qëndrimin e partive politike, por të kreut të shtetit”, është shprehur Halimi për Express.
Kujtojmë se sot një javë pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvende komunale në Zveçan dhe Leposaviq.
Lidhur me këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën e qendrave të votimit. Sipas zëdhënësit të këtij institucioni, Valmir Elezi, nga 44 qendra të votimit, tash janë vetëm 19 sosh, gjë që ka ndikuar në rritjen e votuesve për qendër- nga 750 në 2 mijë.