Lajme
Haradinaj e cilëson mashtrim ligjin e ri të pagave
Demokracia
15:27 | 15 Shkurt 2022

Share:

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar mashtrim draftin e ligjit të ri të pagave, që pritet të shkojë në mars në Kuvend për shqyrtim.

Një ulje e vlerës monetare të koeficientit, sipas Haradinajt, është mashtrim.

“Rritja e koeficientit, e në anën tjetër zvogëlimi i vlerës monetare, është mashtrim ordiner. Është tepër me rëndësi që të rirregullohet Ligji i Pagave, por ky ligj nuk duhet të bjerë. Po shoh komente dhe qëndrime të ndryshme të sindikatave, të zyrtarëve institucionalë dhe të autoriteteve politike. Të gjithë në një apo në një mënyrë tjetër, po i japin qëndrimet për organizatën buxhetore që përfaqësojnë. Vlerësimet të cilat kanë qenë të evidentuara, janë të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese. Ato duhet të rregullohen, ndërsa koeficienti dhe vlera e tij, jo vetëm se nuk duhet të zvogëlohen por ato duhet të rriten në përputhje me rritjen e çmimeve të konsumit. Në këtë vend gjithçka është rritur, përpos pagave që kanë mbetur në vendnumëro!” ka thënë Haradinaj në Facebook.

Ai ka porositur Qeverinë “të mos eksperimentojë me këtë ligj, sepse durimi ka kufi”.

Haradinaj ka thënë se pagat duhet të harmonizohen me shkallën e shtrenjtimit të jetesës.

Të ngjashme