Lajme
“Hapja në Kosovë e vendvotimeve për zgjedhjet serbe” | Kurti anashkalon Kushtetutën, vetë-ofrohet të negociojë me Serbinë një marrëveshje speciale që mbështetet vetëm në Marrëveshjen e Brukselit
Demokracia
12:54 | 20 Nëntor 2023

Share:

“Ne konsiderojmë që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk janë bërë asnjëherë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ne do të jemi në zbatim dhe në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit në fuqi”.

Kjo është deklarata e Albin Kurtit, e dhënë më 28 maj 2020, vetëm pak muaj pasi ishte bërë kryeministër i Kosovës, sipas së cilës, Kushtetuta duhet të jetë bazë mbi të cilën do të mund të lejohej votimi i serbëve me shtetësi të dyfishtë, shkruan Demokracia.com.

Kurti e bëri këtë deklaratë nga cilësia e Kryeministrit në Detyrë, pasi vetëm disa ditë më herët ai nuk kishte kaluar një votëbesim në Kuvend. Përmes kësaj deklarate, Kurti, i cili kishte mbajtur një qëndrim të ashpër në raport me Serbinë po paralajmëronte se nuk do të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Por, për Kurtin, tani kryeministër fuqiplotë dhe jo i shkarkuar, nuk vlen më qëndrimi i tij i dikurshëm. Pozicioni i ri i Kurtit nuk është në mbrojtje të Kushtetutës së Kosovës.

Kurti, si asnjëherë më parë, është vetëofruar që të negociojë me Serbinë një marrëveshje speciale. Baza ligjore mbi të cilën do të negociohej, sipas Kurtit, është Marrëveshja Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] e arritur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kjo marrëveshje do të bënte të mundur që Serbia të hapte qendra të votimit në vendbanime të komunitetit serb (jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë) me shtetësi të dyfishtë, në mënyrë që edhe ata të mund të votonin për zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Që kjo të bëhet e mundur, kryeministri Kurti ka shpalosur qëndrimin e tij se duhet “një marrëveshje e veçantë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Në letrën që kryeministri Kurti ia ka dërguar shefit të OSBE-së në Kosovë, Micheal Davenport, nuk përmendet askund Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila duhet të jetë baza kryesore ligjore për të lidhur një marrëveshje me Serbinë.

“Në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, më lejoni t’ju tërheq vëmendjen edhe në kornizën e re ligjore, e cila është ndërtuar mbi praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare…”, thuhet në letrën e Kurtit, e publikuar nga mediet më 19 nëntor 2023.

“Kërkesa për këtë marrëveshje duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë e tillë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtet i barabartë, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur sivjet mes Kosovës dhe Serbisë. Me këto kushte inkurajojmë Serbinë që të negociojë një marrëveshje të tillë speciale me Republikën e Kosovës, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Bazë: të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në bazë të të drejtave të barabarta dhe respektit reciprok të të drejtat e votuesve jashtë vendit”, thuhet në përgjigjen e Kurtit dërguar shefit të OSBE-së, Davenport, e publikuar nga mediet më 19 nëntor 2023.

Lexo më gjerësisht:

Kurti: Serbia të propozojë marrëveshje që t’i mundësohet komunitetit serb të votojë

Për më tepër, ky qëndrim i Kurtit është në kundërshtim të plotë me qëndrimin e tij, të cilin e kishte hartuar së bashku me presidenten Osmani dhe kryeparlamentarin Konjufca, më 14 janar 2022, kur kishin hedhur poshtë propozimin e shteteve të QUINT-it që shteti i Kosovës të lejonte mbajtjen e referendumit serb edhe në Kosovë në prillin e atij viti.

Në janar të vitit të kaluar, treshja Osmani – Kurti – Konjufca, deklaronin njëzëri se hapja e “qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”. / Demokracia.com /

Lexo edhe këtë:

Institucionet me një zë: S’lejojmë mbajtjen e referendumit serb

Edhe këtë:

Kurti në kundërshtim me Kushtetutën, shprehet i gatshëm të lejojë hapjen e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës, para një viti e kundërshtonte fuqishëm

Të ngjashme