Lajme
Hamiti: Rikuperimi i plotë i raporteve Kosovë-SHBA s`mund të bëhet me Kurtin në pushtet
Demokracia
16:44 | 03 Qershor 2023

Share:

Ish-ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Muhamet Hamiti, ka vlerësuar se rikuperimi i raporteve të Kosovës me SHBA-të do të marrë kohë.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se rikuperimi i tërësishëm i marrëdhënieve në mes të dy vendeve nuk mund të ndodh me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin në pushtet.

“Rikuperimet mund të bëhen, por shpejt jo. Plotësisht nuk mund të rikuperohen me këtë Qeveri, me Osmanin e Kurtin në pushtet, me Presidenten që kohën më të madhe është ‘missing in action’, siç do të thoshin anglishtfolësit, që po abstenon nga funksionet e veta kushtetuese, nuk po siguron funksionimin demokratik të institucioneve, nuk po qëndron mbi palët, por është rreshtuar me Qeverinë, dhe me Kurtin që bën aventura të rrezikshme, si ajo me targat para një gjysmë viti, pas të cilës u tërhoq, mbasi bëri dëm, dhe kësaj aventure të javës së fundit, dëmet e së cilës ndoshta shumëkush s’i ka parë ende. Po duket as vetë Qeveria, e cila vazhdon t’i bjerë moh realitetit të sanksioneve amerikane dhe keqësimit të marrëdhënieve Kosovë – SHBA për fajin e saj”, ka thënë Hamiti.

Ai ka vlerësuar se sjellja e dy krerëve shtetërorë e ka sjellë Kosovën në gjendjen që aleati kryesor t`i vendos sanksione.

Sipas tij, Kurti dhe Osmani janë tërhequr nga qëndrimet e atyre pasi janë bërë dëmet për vendin.

“Kjo tregon se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani i kuptojnë mesazhet e miqve tanë me vonesë të madhe. Tërhiqen mbasi të kenë bërë dëm për interesat e vendit, të cilin përpiqen ta paraqesin si sukses me propagandë të përndezur patriotike për veshët e militantëve të vet, thua se janë në fushatë zgjedhore”, ka thënë Hamiti.

Të ngjashme