Lajme
Hamasi dhe Xhihadi Islamik refuzojnë të dorëzojnë pushtetin për një armëpushim të përhershëm
Demokracia
16:50 | 25 Dhjetor 2023

Share:

Hamasi dhe aleati i tij Xhihadi Islamik hodhën poshtë propozimin egjiptian për të hequr dorë nga kontrolli i Rripit të Gazës në këmbim të një armëpushimi të përhershëm, thanë të hënën për Reuters dy burime egjiptiane të sigurisë.

Të dy grupet, të cilat po mbajnë bisedime të veçanta me ndërmjetësit egjiptianë në Kajro, kanë refuzuar të ofrojnë ndonjë lëshim, përveç lirimit të mundshëm të më shumë pengjeve të kapur më 7 tetor, kur militantët hynë në jug të Izraelit, duke vrarë 1200 njerëz.

Egjipti propozoi një “vizion”, të mbështetur gjithashtu nga ndërmjetësit e Katarit, që do të përfshinte një armëpushim në këmbim të lirimit të më shumë pengjeve, ndërsa përfundimisht do të çonte në një marrëveshje më të gjerë, e cila do të përfshinte një armëpushim të përhershëm së bashku me një ndryshim në udhëheqjen palestineze në Gaza. Aktualisht Hamasi është në pushtet në Rripin e Gazës.

Egjipti propozoi zgjedhje duke siguruar Hamasin se anëtarët e tij nuk do të ndiqen penalisht, por grupi islamik refuzoi çdo lëshim përveç lirimit të pengjeve, thanë burimet.

Më shumë se 100 pengje izraelite janë ende në Gaza. Një zyrtar i Hamasit, i cili së fundmi vizitoi Kajron, nuk pranoi të komentojë drejtpërdrejt mbi ofertat specifike për armëpushime të përkohshme humanitare dhe e hodhi poshtë propozimin.

“Hamasi kërkon t’i japë fund agresionit izraelit kundër popullit tonë, masakrave dhe gjenocidit dhe ne kemi diskutuar me vëllezërit tanë egjiptianë mënyrat për ta bërë këtë,” tha një zyrtar i Hamasit për Reuters.

“Ne gjithashtu thamë se ndihmat për njerëzit tanë duhet të shkojnë më tej dhe duhet të shtohen dhe duhet të arrijnë të gjithë banorët në veri dhe jug”, theksoi zyrtari.

“Pasi të ndalet agresioni dhe shtohet ndihma, jemi gati të diskutojmë për shkëmbimin e të burgosurve”, shtoi ai.

Xhihadi Islamik, i cili gjithashtu mban pengje në Gaza, i bëri jehonë qëndrimit të Hamasit.

Të ngjashme