Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti thotë se takimi i 21 shtatorit mes përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të bëhet për t’i dhënë një mesazh të qartë Kosovës dhe Serbisë.
Haliti në një prononcim për GazetaBlic tha se, palëve do t’ju kërkohet të vazhdojnë dialogun.
“Edhe pse deri më tani ende nuk kemi ndonjë informacion zyrtar të detajuar për opinionin. Takimet e 21 tetorit bëhen për t’i dhënë një mesazh të qartë Kosovës dhe Serbisë që të dyja palët të ulen në tryezën e bisedimeve, pa vendosur kushte, se negociatat do të drejtohen nga BE-ja, përmes përfaqësuesve të saj”, tha Haliti
“Besoj se do të propozojnë një paketë joshëse për Serbinë dhe Kosovën në interes të zhvillimit ekonomik dhe lehtësirave të tjera që do t’u shërbejnë të dyja palëve lidhur me idenë dhe domosdoshmërinë e integrimit në BE në pakon e përbashkët të Ballkanit Perëndimor”, shtoi Haliti.
Haliti uron që Kosova mos të ndëshkohet, por të përfitojë një “karrotë të madhe”.
“Takimi në tavolinë do të ketë një shkop dhe një karrotë, për të dyja palët uroj që Kosova të përfitojë karrotë të madhe dhe një shuplakë e vogël”, tha Haliti për GazetaBlic.
Kujtojmë se, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe sigurinë, Peter Stano, konfirmoi sot se përfaqësuesi i posaçëm i bllokut për dialogun, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, udhëton të shtunën drejt Kosovës e Serbisë.
Ata do takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Me Lajçakun, do të jenë edhe Emanuel Bonne, këshilltar për siguri dhe politikë të jashtme i presidentit të Francës , ai i kancelarit gjerman, Jens Plotner, dhe i kryeministres së Italisë, Francesco Talo, si dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Qëllimi i kësaj vizite është të arrihet përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, sqaroi Stano.
“BE-ja dhe vendet anëtare, sikurse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbeten mbështetëse të mëdha të procesit të normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe së ardhmes europiane të të gjithë rajonit. Kemi pritshmëri të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të përmbushin detyrimet e tyre pa kushte dhe pa vonesa”, shprehet Stano.