Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, po merr pjesë në sesionin e 69-të të vjetorit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Fokusi kryesor i këtij takimi ka qenë situata në Ukrainë dhe gjendja në Kosovë, duke përfshirë vrasjen e policit dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it.
Haliti tha se mesazhi ishte se NATO do të vazhdojë të jetë neutrale, në përputhje me kompetencat që rrjedhin nga Rezoluta 1244, ndërsa ndërmjetësi kryesor do të vazhdojë të jetë BE-ja. Kurse ish-ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, tashmë kryetare e delegacionit shqiptar në AP të NATO-s, Mimi Kodheli, shprehu shqetësimin e Shqipërisë për situatën në veri, me theks të veçantë për vrasjen e policit të Kosovës dhe plagosjen e KFOR-it. Të njëjtën çështje e ka ngritur edhe delegacioni i Kroacisë në AP të NATO-s. Kjo gjë u dënua.
Shqetësimi u shpreh edhe për aktet terroriste kundër Izraelit dhe u tregua një solidaritet gjithëpërfshirës me popullin izraelit.
Pas diskutimeve në komisione, në seancën e sotme folës kryesorë ishin: Kryetari i AP-së së NATO-s, Kryetari i Parlamentit të Danimarkës, Kryeministri i Danimarkës, Presidenti Zelenski (iu drejtua të pranishmëve përmes video-konferencës), njëjtë pjesëmarrësve iu drejtua kryetari i parlamentit të Ukrainës, ndërsa folësi i fundit në seancën e mëngjesit ishte zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s.