Lajme
Halimi: Rasti i mbrëmshëm shpërfaqi sistemin e brishtë të institucioneve të sigurisë
Demokracia
14:50 | 05 Gusht 2023

Share:

Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar pas gjuajtjes me armë zjarri në një lokal mbrëmë në Prishtinë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Halimi ka thënë se “gangsterizmi po shndërrohet në mënyrë jetese për shumë të rinj në Kosovë”.

“Gangsterizmi po shndërrohet në mënyrë jetese për shumë të rinj në Kosovë dhe në mënyrë indirekte është duke u përbrendësuar në shoqërinë tonë. Ky botëkuptim dhe sjellje promovohet kudo, por vështirë t`i vihet përball një model tjetër identitar, ai i qytetarit të edukuar mirë, që e shquajnë vlerat humane dhe solidarësia qytetare. Prandaj, funksionimi efikas i mekanizmave të rendit dhe ligjit është pa alternativë.” – ka shkruar ajo.

Sipas Halimit, rasti i mbrëmshëm ka shpërfaqur sistemin e britshtë të institucioneve të sigurisë, derisa personat e përndjekur nga drejtësia po vazhdojnë të lëvizin lirshëm.

“Rasti i mbrëmshëm na shpërfaq sistemin e brishtë të institucioneve të sigurisë. Personat të cilat janë të përndjekur nga drejtësia vazhdojnë të bredhin të lirë qyteteve tona dhe natyrisht epilogu është një tragjedi e tillë, kur grupe të rinjsh përplasen si në një shesh beteje.” – tha ajo tutje.

Në fund, zyrtarja e LDK-së deklaroi se ky rast i ka tronditur të gjithë.

“Tragjedia e mbrëmshëm na ka tronditur të gjithëve, rendi dhe ligji po cenohen rëndë, nga grupe të organizuara që nuk hezitojnë të përdorin armë në ambiente urbane. Qytetarëve duhet t`u ofrohet siguri në qytetin e tyre që të mos lihen si kolateral, nën mëshirën e grupeve rivale.” – ka thënë ajo.

Të ngjashme