Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar pas sulmit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ndaj gazetarëve.
Halimi përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se ky etiketim është i papranueshëm dhe i rrezikshëm.
“Shoqëria duhet të jetë kohezive në luftimin e kësaj mendësie parapolitike e primitive, që po e shpie vendin drejt një diktature.” – ka shkruar ajo
Tutje, Halimi u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e kësaj gjuhe të urrejtjes dhe polarizimit.
Postimi i plotë:
I papranueshëm dhe i rrezikshëm etiketimi i dy gazetarëve, Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi nga Ministri i Punëve të Brendshme. Sulmi që po u bëhet vlerave më bazike të mendimit dhe shprehjes së lirë nga kjo kastë politike, kërkon reagim gjithëshoqëror dhe dënim pa hezitim.
Shoqëria duhet të jetë kohezive në luftimin e kësaj mendësie parapolitike e primitive, që po e shpie vendin drejt një diktature.
Qytetarët nuk duhet të bien pre e kësaj gjuhe të urrejtjes dhe polarizimit që vije nga eksponentët e këtij pushteti. Ata duhet të mobilizohen për mospranim të kësaj gjuhe urrejtjeje e të angazhohen për paqe e komunikim civil.
Kosova është vend i lirë dhe nuk do ta lejojë instalimin e shtetit policor.