Lajme
Halimi i përgjigjet VV-së: Kontestimi i vendimeve kushtetuese, i rrezikshëm për demokracinë
Demokracia
14:58 | 19 Dhjetor 2023

Share:

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka reaguar ndaj sulmeve të LV-së për partitë opozitare.

Ajo ka bërë me dije se kontestimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga partia në pushtet është i rrezikshëm për demokracinë e vendit.

Në profilin e saj në “Facebook”, Halimi ka shkruar se ligjet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese do të duhej ta këndellnin pushtetin.

“Qasjen e partisë në pushtet ndaj shtetit si projekt i përkohshëm e dëshmojnë edhe veprimet për ta zbatuar këtë ide. Kontestimi i vendimeve kushtetuese më qëllim të propagandimit kundër Lidhjes Demokratike, i rrezikshëm për frymën e krijuar të LVV-së kundër institucioneve të vendit. Është tejet e rrezikshme për demokracinë dhe konstruksionin tonë shtetëror, sfidimi që pushteti ia bën kushtetutshmërisë së vendit”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, propaganda e VV-së nuk do të mund t`i mbulon dështimet e Qeverisë Kurti.

“Ligjet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, në vend që ta këndellin pushtetin për humnerën ku po e dërgon vendin, po përdoren nga ky i fundit si arsenal për artilerinë e propagandës. Propaganda klishe e përbërë nga narrativa populliste e stërpërdorur, nuk mbulon kurrsesi dështimin kolosal në secilin sektor të pushtetit, i cili në fundosje e sipër, do t’i marrë të gjithë me vete në rrënim”, ka shkruar ajo.

Sot, Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar me sulmet ndaj partive opozitare, PDK, LDK e AAK.

Përmes një shkrimi në “Facebook”, kjo parti është marrë përsëri me dërgimin e ligjeve nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se partitë opozitare nuk po kanë alternativë dhe po i mbrojnë të “fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit”.

Sipas VV-së, dërgimi i ligjeve nga opozita në Kushtetuesë nuk është opozitëbërje, por “është përpjekje e Klubit të Stërvjetëruar Politik që të ruaj grupet e interesit në mënyrë që të ruhet pasuria e tyre”.

Të ngjashme