Kosova sot edhe zyrtarisht dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Kosova duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën tridhjetë shteteve për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, shkruan Demokracia.com.
Pas dorëzimit të aplikacionit gjatë të enjtes, shqyrtimi i të cilit nuk pritet të vonojë, e më këtë institucioneve kosovare po iu kërkohet dinamikë më e madhe në diplomaci për sigurimin e votave për anëtarësim në këtë mekanizëm të rëndësishëm evropian.
Profesori dhe njohësi i politikave ndërkombëtare, Zenun Halili, për Demokracia.com ka thënë se shanset janë të mira për anëtarësimin e Kosovës pasi që Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës.
“Kërkesa duhet të kaloj nëpër institucionet dhe instancat e ndryshme të Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare dhe Këshillit Ministror. Për t’u pranuar lypset vota e 2/3 të shteteve anëtare. Shanset janë të mira pasi Rusia është larguar nga Këshilli i Evropës. Përfitimet me shumë janë politike se sa ekonomike”, ka thënë Halili.
Ai ka shtuar se ky anëtarësi i mundëson Kosovës t’i mbroj qytetarët saj në vendet që janë anëtare të Këshillit të Evropës.
“Anëtarësimi mundëson që Kosova t’i mbrojë qytetarët e vetë në vendet që janë anëtare të Këshillit të Evropës. Kosova mund t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nëse konsideron se qytetarëve u janë shkelur të drejtat e tyre”, ka thënë ai.
Profesori Halili ka thënë se anëtarësimi po ashtu e rrit prestigjin ndërkombëtar të Kosovës. /Demokracia.com/