Lajme
Haki Abazi ndanë rrugët me Kurtin, nuk lë të zezë pa thënë për të
Demokracia
13:29 | 28 Shkurt 2023

Share:

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se ka ndarë përfundimisht rrugët me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, njëherësh edhe kryetar i subjektit politik në fjalë.

Abazi, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka kritikuar Kurtin që ka pranuar “Zajednicën”, e ka quajtur lider suprem dhe e ka akuzuar atë për “instrumentalizimin e vrasjeve politike”, shkruan Demokracia.com.

“Po z. Kurti, këtu ndahen rrugët tona përfundimisht. Ti ke vazhduar në rrugën e njejtë me ata që janë opozitë- konfidenciale . Edhe ata flisnin për “fshisa kur pyeteshin për lisa”. Ju keni pranuar Zajednicën dhe jeni deklaruar në mënyrën më të pasinqertë! As autentike, as semantike por hipokrizi par-excellence. Së paku do e thoje hapur e në sy që e ke pranuar ose ta refuzoje me qartësi!”, ka deklaruar Abazi.

“Deri tani teoria që të përfshishë njerëzit për t’i shkatërruar nga brenda të ka funksionuar, por kjo nuk shkon gjatë. Vrasjet politike janë instrument që funksionojnë shkurt, gjaku të ze, tradhëtia del- nuk rri dot e konzervuar. Zhurma e militantëve dhe përkrahja e servilëve zhduken si fluskë sapuni. Të parë janë më pak se sa simpatizantët e një klubi futbollistik e të dytët janë më shumë, ata të duan sepse e kanë parë që nuk keni aftësi as të i lëvizni nga “kullosa” ku kanë kullotur në kohën e pushteteve. Përkundrazi ju jeni bërë shërbëtorë në grazhdin e tyre, në konferenca e përvjetore që i ben për të krijuar përcepcion. Këto as nuk janë strategji e as përmbajtje e AQ me pak bindje. Vetëm përceptim dhe asnje gjë më shumë. Në anën tjetër këtë përceptim po doni ta ushqeni me sadakanë e 100 euroshit dhe ndihmat. Po i merrni nga populli për t‘i dhënë të njejtat, paratë e veta. Kjo nuk është ndonjë e arritur e as edhe politikë sociale, kjo është sadaka me pare të huaja”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

“Më vjen mirë që nuk jam pjesë e Komisionit që do të duhej t’i mbante tupanin e hipokrizisë për vallën e servilëve dhe pakurrizorëve!”, shtoi më tej Abazi. /Demokracia.com/

Të ngjashme