Për shumë muaj Haki Abazi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk u bë i gjallë me reagime për zhvillime të ndryshme në vend. Por sot, ai ka bërë një postim në rrjetin social Facebook duke tentuar t’i bind qytetarët të mos dalin në protestën e PSD-së, të cilën po e konsideron si “kurth”. Për protesta, rreth një vit më parë, ai thoshte se janë mjet demokratik për të artikuluar zërin e qytetarëve.
Haki Abazi siç duket i ka ndryshuar shumë qëndrimet. Sot atij protestat nuk po i duken aq të rëndësishme sa i dukeshin para rreth një viti, përcjell Demokracia.com.
Në kohën kur aktivistët e LVV-së protestonin kundër Qeverisë Hoti, Albin Kurti u kritikua shumë se për shkeljen e masave anti-Covid.
E për këtë kishte reaguar Haki Abazi. Ai atëherë deklaronte se nuk janë protestat që përbëjnë rrezik, por vetë institucionet qeveritare.
“Në postimin tim kam reflektuar se sa është i rëndësishëm aktivizimi qytetar dhe protesta si mjet demokratik për të artikuluar zërin dhe kërkesat qytetare”, kishte thënë Abazi.
Por qëndrimin e ka ndryshuar sot. Deputeti i LVV-së po u bën thirrje qytetarëve që mos të dalin në protestën e thirrur nga PSD-ja kundër shtrenjtimit të rrymës.
Abazi e ka cilësuar këtë protestë si “plan rus”. Në një shkrim të tij në Facebook, ai ka përmendur edhe trazira, ndërsa u ka thënë qytetarëve të mos biejnë në këtë “kurth”.
“Më së paku na duhet të biejmë në “kurthat” që janë ndërtuar për qëllime të palëve që synim e kanë destabilizimin e Evropës dhe botës demokratike”, ka thënë ai.
Ndryshe, protesta e PSD-së do të mbahet sot në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Deri më tani është vërejtur interesim i madh i qytetarëve që të marrin pjesë në protestë, pasi që shumë prej tyre po shprehen se nuk mund t’i përballojnë çmimet e lartë të energjisë./Demokracia.com/