Lajme
Hajdari: Kemi rezerva të mjaftueshme të grurit, nuk kemi nevojë për panik
Demokracia
17:31 | 26 Shkurt 2022

Share:

Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësish, Rozeta Hajdari, tha se Kosova ka mjaftueshëm rezerva të grurit.

Hajdari në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati tha se Kosova ka mjaftueshëm rezerva shtetërore.

“Në kontakt të vazhdueshëm më kultivuesit e grurit, të cilët na sigurojnë se për 3 deri në 6 muaj nuk ka pse të brengosemi për mungesë të miellit. Na thanë se nuk kemi nevojë për panik. Ju sigurojmë se kemi rezerva me grurë dhe mallra dhe nuk ka nevojë për panik. Kemi vendet mike që sigurojnë Kosovën se do të ndihmojnë me rezerva nëse ka nevojë”, tha Hajdari.

Ajo tha më tej se rezerva shtetërore shfrytëzohen për furnizim kur ka luftë apo rrezik nga lufta, si dhe siç tha ajo katastrofa tekniko ekologjike.

“Në vazhdën e sigurisë së mallrave ne do të analizojmë të gjitha mundësitë për të mbrojtur tregun tonë dhe po marrim të gjitha veprimet sipas legjislacionit në fuqi. Kemi kërkuar mjete shtesë nga ministri i Financave për të siguruar rezerva shtesë në rast të ndonjë krize”, shtoi Hajdari.

Kujtojmë se shumë qytetarë në Kosovë kanë filluar të blejnë miell në sasi të madhe, pas sulmeve të Rusisë mbi Ukrainën.

Të ngjashme