Ministret e Qeverisë Kurti duket se s’kanë shumë dëshirë të jenë transparente dhe të deklarojnë pasurinë.
Fillimisht, në fund të vitit të kaluar, ministrja Rozeta Hajdari ishte dënuar se nuk e deklaroi pasurinë.
Ajo ishte dënuar me 700 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë brenda afateve ligjore në vitin 2020, shkruan Demokracia.com
Hajdari ishte arsyetuar para mediave se mosdeklarimi i pasurisë me kohë ka qenë padashje, duke arsyetuar atë me situatën me pandeminë.
Por, Hajdari nuk është ministrja e vetme e Qeverisë Kurti që ka një akuzë të tillë. Një akuzë për mosdeklarim të pasurisë e ka edhe ministrja Donika Gërvalla.
Sot u raportua se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, lidhur me akuzën për mos raportim të saktë të pasurisë.
“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar aktakuzën e plotë e cila rezulton se është përpiluar më 31 janar 2023, nga prokurori Astrit Gashi.
Sipas aktakuzës, Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.
Aktakuza thotë se, e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.
Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.
Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me këto veprime, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria përmes aktakuzës, ka kërkuar që të e njëjta të shpallet fajtore për veprën penale që i vihet në barrë si dhe i ka propozuar gjykatës që të bëjë konfiskimin e vlerës së padeklaruar.
Çfarë deklaroi ministria Gërvalla në prokurori?
Lidhur me këtë çështje penale e akuzuara Gërvalla-Schwarz në nëntor 2022 ka dhënë deklaratë në Prokurori ku e njëjta kishte deklaruar se nuk ka qenë në dijeni se në formularin e deklarimit të pasurisë duhej të deklaronte edhe të ardhurat e bashkëshortit të saj.