Zërat për një shitje të mundshme me një shifër marramendëse qarkullonin prej javësh, dhe tani është zyrtare: Hailey Bieber ka shitur markën e saj të bukurisë Rhode te e.l.f. Beauty me një marrëveshje me vlerë 1 miliard dollarë. Një shifër mbresëlënëse për një markë të lançuar vetëm në vitin 2022, që falë fytyrës dhe shpirtit sipërmarrës të Hailey-t, arriti të pozicionohet si një pikë referimi në botën e bukurisë për një kohë shumë të shkurtër.
Ajo ka diktuar tendencat që dominojnë përditë në rrjetet sociale, dhe ka lançuar disa nga produktet më të dashura të viteve të fundit, si Peptide Lip Tint dhe Pocket Blush, përveç një linje për kujdesin e lëkurës praktike dhe funksionale, e menduar për të theksuar ndriçimin natyral të lëkurës.
“Kur e lançova Rhode në vitin 2022, gjithmonë kam pasur ëndrra të mëdha për kompaninë, dhe gjëja më e rëndësishme për mua është të vazhdoj ta çoj Rhode në hapësira, vende dhe fytyra të reja në të gjithë botën,” – shkroi Hailey në Instagram, duke shpallur shitjen.
“Për këtë arsye sot jam jashtëzakonisht e emocionuar dhe krenare të njoftoj që po bashkëpunojmë me e.l.f. Beauty ndërsa hyjmë në këtë kapitull të ri të botës së Rhode.”
Ajo shtoi: “Gjeta një partner me të njëjtën vizion revolucionar si unë, një kompani ndryshe, që beson në idetë e mëdha dhe në inovacionin e propozuar prej meje, dhe që do të ndihmojë të rrisë edhe më tej markën. Ndihem plot energji, e emocionuar dhe më e gatshme se kurrë për të marrë një rol edhe më të rëndësishëm si Drejtoreshë Kreative dhe Drejtore Inovacioni e Rhode, si edhe si këshilluese strategjike për e.l.f. Beauty.”
“Faleminderit ekipit të mrekullueshëm të Rhode që më ndihmoi të ndërtoj gjithçka gjatë këtyre viteve. S’do ia kisha dalë pa ju. Dhe komunitetit tonë të Rhode, faleminderit për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme dhe që jeni me ne në këtë udhëtim: ky kapitull i ri do të jetë edhe më i jashtëzakonshëm – së bashku! Siç thashë, ky është vetëm fillimi.”/Iconstyle