Sport
Haaland sulmuesi që kërcënon rekordet e Ronaldos
Demokracia
12:41 | 17 Qershor 2022

Share:

Të gjithë e njohin talentin e Erling Haalandit, por mesatarja e golave që në moshën 21-vjeçare tregon se çfarë sulmuesi me potencial ka transferuar Manchester City këtë verë.

Kampionët e Anglisë aktivizuan klauzolën e prishjes së kontratës me Dortmundin muajin e shkuar për 51 milionë paund (60 milionë euro), ndërsa ai firmosi një kontratë 5-vjeçare në “Etihad”.

Duke u transferuar te “Qytetarët”, klubi ku luajti babai i tij, Alf-Inge, është hapi i radhës në karrierën e norvegjezit, i cili ka shënuar gola pa fund kudo ku ka luajtur. Ai debutoi në futbollin profesionist në moshën 15-vjeçare me klubin e vendlindjes së tij, Bryjne, përpara se të transferohej te Molde i Ole Gunar Solskjaerit.

Transferimi te Red Bull Salcburgu erdhi në vitin 2018 dhe Dortmundi e transferoi 2.5 vite më parë. Në total, Haland ka shënuar 135 gola në 182 ndeshje për klubet, duke i dhënë atij një mesatare 0.74 gola për ndeshje përpara se ai të mbushë 22 vjeç muajin e ardhshëm, shkruan Panoramasport, transmeton Demokracia.com.

Statistikat e tij të golit janë të pakrahasueshme edhe me disa prej futbollistëve më të mirë të kohërave krahasuar në të njëjtën moshë. Raporti i golave për ndeshje të Lionel Mesit në moshën 21-vjeçare ishte 0.47 (80 gola në 179 ndeshje), ndërsa Cristiano Ronaldo e kishte shumë më të ulët, 0.23 gola për ndeshje (55 në 223).

Haaland shpreson që një ditë të thyejë rekordin e Sergio Agueros, i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e klubit. Edhe argjentinasi e ka pasur raportin e golave në moshën 21- vjeçare më të ulët sesa norvegjezi: 0.4 (93 gola në 235 ndeshje).

Nga lojtarët që luajnë aktualisht në Premier Ligë, Romelu Lukaku 0.39 (102 gola në 259 ndeshje) dhe Harry Kane 0.33 (63 gola në 190 ndeshje) janë lojtarët me raportin më të mirë të golave për të njëjtën moshë. /Demokracia.com

Të ngjashme