Lajme
“Guximtarët” e Vjosa Osmanit e përjetojnë frikën e madhe, mbesin veç me tre deputetë
Demokracia
14:22 | 07 Shtator 2022

Share:

Donika Gërvallës i është shuar ëndrra për të formuar Grup Parlamentar të partisë së saj në Kuvendin e Kosovës.

Lista Guxo, e cila është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ka kohë që po përpëlitet për ta krijuar grupin e vet parlamentar.

Por, me largimin e deputetes Doarsa Kica, shpresat e tyre po veniten, shkruan Demokracia.com.

Gërvallës i kanë mbetur veç tre deputetë në Kuvendin e Kosovës, konkretisht Haxhi Avdyli, Jeta Statovci dhe Burim Meta.

Deputetja e deritashme e këtij subjekti politik, Doarsa Kica ende nuk ka folur për kalimin e saj në LDK. Por, largimin e ka konfirmuar indirekt edhe zyrtari i “ Listës Guxo”, Faton Peci.

Peci pas publikimit të lajmit për largimin e Kicës ka publikuar në Facebook një fotografi me Presidenten e Kosovës, e cila para se të merrte detyrën e të parës së shtetit e kishte themeluar Listën Guxo, pas largimit të saj nga LDK me kryetaren aktuale Donika Gërvalla-Schwarz.

“Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë?”, ka shkruar Peci.

Në zgjedhjet e fundit, Lista Guxo kishte marrë shtatë deputetë, që ishin: Vjosa Osmani, Donika Gërvalla-Schwarz, Faton Peci, Haxhi Avdyli, Burim Meta (Karameta atëkohë), Doarsa Kica dhe Jeta Statovci.

Pasi Osmani u largua për t’u bërë presidente dhe Gërvalla e Peci u bënë ministra, ata mbetën me vetëm katër deputetë duke e zhvilluar aktivitetin e tyre brenda Grupit Parlamentar të LVV-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme