Lajme
Guvernatori Mehmeti pas vendimit të Arbitrazhit për “IuteCredit”: U dëshmua vendimi ynë i drejtë
Demokracia
22:47 | 18 Nëntor 2022

Share:

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka reaguar pas vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në lidhje me padinë që e institucionit mikrofinanciar “IuteCredit”.

Kosova e ka fituar këtë rast në Arbitrazh, derisa Mehmeti ka thënë se kjo dëshmon atë që e kanë thënë nga fillimi që vendimi i marrë ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm.

“Me këtë rast dua të falënderoj stafin e BQK-së për punë të jashtëzakonshme në këtë proces dhe të gjitha institucionet e vendit. Vendimi për marrjen e licencës së institucionin mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo” Sh. A. dhe për institucionin financiar jobankar “Monego”, erdhi pas një varg shkeljesh të bëra në kurriz të qytetarëve. Këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat për të operuar në Kosovë, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishin premtuar që do të sjellin”, ka shkruar Mehmeti.

Sipas tij, devijimi më shqetësues nga planet e tyre të biznesit, në bazë të të cilave kishin marrë licencën, ka të bëjë me normat e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi dhe të cilat kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në dokumentacionin e aplikimit për kredi, i cili paraqet një element shumë të rëndësishëm në procesin e marrjes së vendimit për aprovimin e licencave për institucionet financiare.

“Normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione janë jashtë çdo standardi, qoftë nëse i krahasojmë me vetë projeksionet e këtyre institucioneve, qoftë në raport me normat e interesit në kredi që aplikohen nga institucionet tjera financiare në vend. BQK mbetet e përkushtuar që të krijoj kushte për konkurrencë të shëndosh, por në të njëjtën kohë angazhohet vazhdimisht që secili institucion I licencuar të funksionoj sipas ligjeve dhe rregullave”, ka shkruar në fund Mehmeti. /Demokracia.com/

Të ngjashme