Lajme
Guvernatori i BQK-së e sheh të vështirë ndërhyrjen në parandalimin e inflacionit
Demokracia
16:25 | 06 Prill 2022

Share:

Ndërhyrja në parandalimin e rritjes së çmimeve të produkteve esenciale po konsiderohet i vështirë nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti. Ai thotë se inflacioni është i importuar dhe çdo ndërhyrje do të kishte efekt negativ në ekonominë e vendit.

Gjatë raportimit në Komisionin për buxhet, punë dhe transfere, Mehmeti tha se vetëm në janar të këtij viti shkalla e inflacionit ka qenë 7.1 për qind.

“Norma e inflacionit vetëm për muajin dhjetor arriti në 6.7 për qind, gjatë janarit ishte 7.1 për qind. Kur jemi te rritja e inflacionit duhet të kemi parasysh, përmenda më herët se kemi rritje të importit 4.6 miliardë euro dhe mund të themi që kemi një inflacion të importuar si rezultat i importeve…Ne si BQK dhe Qeveria nëse shkojmë dhe marrim masa me qëllim të parandalohet inflacioni, edhe pse është e vështirë sepse është inflacioni importuar, atëherë do të afektojmë ose do të kemi efekt negativ në ngritjen ekonomike”, tha ai.

Krahas kësaj, guvernatori Mehmeti tha se stabiliteti financiar është i qëndrueshëm dhe theksoi se sektori bankar është në gjendje të mirë për t’u përballur me ndonjë tronditje të mundshme, pas agresionit rus në Ukrainë.

“Sektori bankar i vendit është në një gjendje të mirë për t’u përballur me një tronditje të mundshme, por megjithatë kemi krijuar një ekip brenda BQK-së që monitoron zhvillimet globale dhe implikimet e mundshme në ekonominë e vendit”, tha Mehmeti.

Nga ana tjetër, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj adresoi kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për politizim të bordeve publike. Ai tha se përballë e ka anëtarin e ri të bordit të BQK-së, Bashkim Norboja, i cili, sipas tij ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LVV-së.

“Vetëvendosje ka ardhur në pushtet që të mos kemi borde të politizuara. Nuk e vlerësoj anën profesionale të askujt, por unë e kam përballë një kandidat me numër 64, ka kandiduar për deputet të LVV-së”, tha ai.

Mirëpo, guvernatori Mehmeti tha se s’kanë pasur asnjë ndikim politik në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të bordit të BQK-së.

“Asnjëherë, bash asnjëherë, asnjë person nuk na ka thirrur dhe as pyetur. Përkundrazi, ne kemi bërë presion dhe kjo ka qenë edhe në raportin e progresit që të kompletohet bordi i Bankës Qendrore”, tha ai.

Të ngjashme