Lajme
Gucati: Turp i madh i qeverisë që ende s’çoi një letër garanci për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së
Demokracia
12:49 | 13 Maj 2025

Share:

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se Gjykata Speciale po luan me dy karta.

Pas shpërndarjes së veteranëve nga hyrja e hotelit ku qëndronte kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ai tha se Specialja po i bën 100 dallavere dhe shumë gënjeshtra.

“Gjykata Speciale nuk i beson policisë tonë, por kur Trendafilova është këtu, policia jonë e mbron. Kemi polici të aftë. Këtë po e bën Gjykata Speciale, po luan me dy karta, me dy lojëra. Edhe na beson edhe nuk na beson. Kjo Gjykatë po i bën 100 dallavere dhe 100 gënjeshtra”, u shpreh Gucati në një lidhje direkte për emisionin “Kosova today” në Klan Kosova.

Tutje, ai u shpreh i zhgënjyer nga qeveria pasi sipas tij, është dashtë të dërgojë një letër garantuese për ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen tash e disa vite në Hagë.

“Ende qeveria jonë nuk ka garantuar për t’i liruar me kusht ata. Pushteti ynë është dashtë ta bëjë këtë. Turpi më i madh i këtyre institucioneve pse nuk e kanë lëshuar një letër garancioni për t’i liruar ata”, tha Gucati.

Në fund, ai tha se grumbullimi i veteranëve sot pranë hotelit ku po qëndronte Trendafilova nuk ka qenë protestë, por reagim për vizitën të cilën OVL-UÇK e ka quajtur të papranueshme, të kryetares së Dhomave të Specializuara.

Të ngjashme