Kosova sivjet nga sezoni i korrje-shirjeve nuk do të mund t’i plotësojë nevojat e saj për grurë. Për më tepër, kjo kulturë bujqësore këtë vit nuk ka as cilësi të mirë.
Fermeri Korab Sejdiu nga komuna e Podujevës ka korrur mbi 150 hektarë sipërfaqe të mbjellë me grurë.
Por, këtë vit sasia e grurit që ka siguruar ka qenë më e vogël.
“Deri 3.000 kilogramë grurë për një hektar të kultivuar kemi arritur të sigurojmë sivjet – gjysmën e sasisë krahasuar me vitin e kaluar”, thotë për Radion Evropa e Lirë fermeri Korab Sejdiu.
Për shkak të sasisë më të vogël të grurit të korrur, Sejdiu thotë se “sivjet nuk ka bukë dhe kualiteti është i dobët”.
Për këtë gjendje, fermeri ua lë fajin kushteve klimatike që këtë vit kanë qenë të pafavorshme për bujqit.
“Ka pasur shumë reshje shiu, mjegull, brymë mëngjesi”, thotë ai, duke sqaruar se kjo ka bërë që gruri të mos fryhet aq sa duhet.
Për shkak të kushteve jo të favorshme atmosferike, këtë vit fushata e korrje-shirjeve ka nisur më 15 korrik, teksa rëndom nis në fillim të po këtij muaji. Sipas ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, këtë vit kanë qenë të mbjellë me grurë rreth 67.000 hektarë tokë.
Ndërkaq, fermeri Valon Vehapi nga komuna e Lipjanit thotë se sasia më e vogël e rendimenteve të grurit këtë vit është shkaktuar edhe nga mostrajtimi i duhur i kësaj kulture bujqësore.
Ai tashmë ka korrur mbi 100 hektarë tokë me grurë.