OpEd
Gruri, arma rezervë e Rusisë
Demokracia
09:14 | 07 Mars 2022

Share:

Nga Alessandro Cappelli “Linkiesta”

Pushtimi rus po sjell pasoja të të gjitha llojeve, në çdo sektor, dhe orë pas ore. Po flitet shumë për rritjen e çmimit të grurit dhe nënprodukteve të tij si buka dhe makaronat. Ditët e fundit, çmimi i produkteve bujqësore është luhatur ndjeshëm, sikurse edhe pritej.

Tensionet në Evropës Lindore, kërcënojnë të frenojnë eksportet e grurit, misrit dhe vajit në mbarë botën. Kësaj i shtohet edhe rritja e kostos së karburanteve dhe plehrave kimikë, që nga ana e tyre përfshihen në shpenzimet e industrisë agro-ushqimore, dhe rëndojnë mbi çmimin final të produkteve.

Dhe për Rusinë, e gjitha kjo përkthehet në një avantazh ekonomik. Në fakt, ajo ndoshta është “fitorja” e vetme e javës së parë të luftës. Gjiganti euroaziatik, është deri më sot eksportuesi më i madh në botë i grurit, duke shitur 35 milionë tonë grurë në mbarë botën gjatë vitit të kaluar.

E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën, që është një nga fuqitë botërore në rritje në këtë sektor. Sipas të dhënave nga Këshilli Ndërkombëtar i Drithërave, eksportet ukrainase të grurit, elbit dhe misrit janë gati 3-fishuar që nga viti 2012. Dhe vitin e kaluar, Ukraina ia kaloi për herë të parë edhe Shteteve të Bashkuara në eksportet e grurit, duke e bërë atë furnizuesin e tretë më të madh të grurit në botë, pas Rusisë dhe Australisë.

Pra, Moska dhe Kievi, prodhojnë së bashku gati 25 për qind të sasisë së grurit në botë. “Prodhimi bujqësor, tradicionalisht një sektor në të cilin Rusia nuk ka qenë kurrë shumë e fortë, për shkak të cilësisë së dobët të tokave të saj të ngrira dhe të goditura vazhdimisht nga thatësira, ​​është rritur gjatë dekadës së fundit”- thuhet në një artikull të botuar në Bloomberg.

Autori i artikullit, David Fickling, rrëfen historinë e shekullit të fundit në Rusi, dhe njëherazi të Bashkimit Sovjetik, për të përcaktuar momentin kur gruri u bë një element qendror në ekonominë e Moskës.

“Rusia cariste, ishte eksportuesja më e madh e grurit në botë. Por Bashkimi Sovjetik hasi në vështirësi të mëdha. Rënia e prodhimit gjatë Luftës së Parë Botërore, kur më shumë se 10 milionë fermerë u shndërruan nga prodhues të ushqimit në konsumatorë, shkaktoi trazira që kulmuan me revolucionet e vitit 1917.

Kolektivizimi dhe uria brutale, që vrau rreth 4 milionë ukrainas në vitet 1930, çoi në rënien e prodhimit bujqësor, deri në pikën që në vitet 1970, Bashkimi Sovjetik importoi një sasi të paprecedentë drithi”- thekson Fickling.

Të ngjashme