Një grua që jeton në Mbretërinë e Bashkuar u martua me macen e saj të quajtur India për të shmangur kufizimet e pronarit të saj, të cilat e ndalonin atë të mbante kafshë shtëpiake në vendin ku jetonte.
Për të shmangur ndarjen nga kafsha edhe një herë, 49-vjeçarja Deborah Hodge mendoi një plan dhe u martua me macen e saj. Ky vendim erdhi pasi gruaja e kishte përjetuar më parë largimin nga kafshët shtëpiake për shkak të kufizimeve të vendosura ndaj saj nga pronarët e shtëpive ku ka jetuar, sipas NDTV. Deborah tha se iu desh të hiqte dorë nga dy Huskie pasi pronari e kërcënoi se do ta dëbonte nga vendi ku jetonte. Ajo tha gjithashtu se ishte e detyruar 5 vjet më parë të hiqte dorë nga macja e saj e mëparshme e quajtur Jamal.
E tmerruar nga ideja e humbjes së maces, gruaja u martua më 19 prill. Sipas Deborah, e cila është gjithashtu nënë e dy fëmijëve, macja është gjëja më e rëndësishme në jetën e saj pas fëmijëve.
“Duke u martuar me Indian, dua që çdo pronar i ardhshëm ta dijë se ne vijmë si një paketë dhe nuk mund të ndahemi në asnjë rrethanë, pasi ajo është po aq e rëndësishme për mua sa fëmijët”, tha ajo.
Hodge dhe kafsha e saj kishin veshur smoking për ceremoninë e tyre të dasmës në një park në Londrën juglindore. Gruaja tha se ajo u zotua se “asnjë burrë nuk do ta ndajë kurrë nga India”.