Në mesin e fotove shqetësuese të trupave të vdekur në Bucha, ku ushtarët rusë po akuzohen se kryen krime mizore kundër qytetarëve ukrainas, një u dallua nga Anastasiia Subacheva, një grimere e qytetit të afërt të Gostomelit.
Ajo e dalloi dorën e një të vdekure që kishte një manikyr perfekt të thonjve me ngjyrë të kuqe e të bardhë, dorë të cilën e kishte parë shumë shpesh derisa mbante furçën gjatë mësimeve të saj për grim.
Nxënësja e saj tani ishte e shtrirë pajetë në rrugën e rrëmujshme.
“Kur e pashë, u ndjeva sikur zemra ime filloi të thyhej”, tha Subacheva në një telefonatë nga qyteti i Kropyvnytskyi, ku ajo iku me familjen e saj.
Subacheva, e cila është artiste e grimit në Bucha për pesë vjet, tha se ajo njihte shumë gra atje, sepse i kishte grimuar shumë prej tyre.
Gruaja e ndjerë në fotografi, Iryna Filkina, 52 vjeçe, që punonte në një stacion ngrohjeje, kishte kontaktuar me Subacheva në shkurt për të pyetur për klasat e grimit.
“Ajo ëndërronte të bëhej e njohur dhe të rriste numrin e ndjekësve të saj në Instagram”, kujton grimerja, shkruan The New York Times, transmeton Gazta Express.
“Ajo ishte e emocionuar për një koncert të ardhshëm nga diva e popit ukrainas Olya Polyakova dhe më foli për atë se çfarë do të vishte dhe si do të bënte grimin e saj për këtë ngjarje”.
“Më në fund kuptova gjënë më të rëndësishme: duhet ta duash veten dhe të jetosh për veten tënde”, kujton Subacheva se i ka thënë Filkina.
“Më në fund do të jetoj ashtu siç dua”.
Por lufta u dha fund këtyre ëndrrave.
Vajza e Filkinas, Olha Shchyruk, e cila kishte ikur nga Bucha pas fillimit të luftës, tha se kishte mësuar më 6 mars se nëna e saj ishte qëlluar një ditë më parë ndërsa kthehej nga puna me biçikletën e saj.
Për rreth një muaj, vajza e saj kishte shpresuar se ajo ndoshta ishte gjallë.
“E kuptoj që s’ishte e mundshme, sepse nuk kishte kontaktuar për një muaj”, tha Shchyruk në një mesazh që e shpërndau në Telegram të mërkurën.
“Por, fëmija gjithmonë do të presë për nënën e tij”.
Të premten – kur Filkina do festonte ditëlindjen – Shchyruk mori një video të nënës së saj të shtrirë në tokë e po ashtu edhe fotografinë me dorën e saj.
“Edhe nëse s’do t’i kishte thonjtë e lyer, unë do ta kisha ditur që ishte nëna ime”.
Ajo tha se vazhdon të kërkojë për trupin e nënës së saj që ta varrosë.