Ministria greke për Migracionin dhe Azilin tha përmes një raporti mbi të huajt e ligjshëm në Greqi se shtetasit shqiptarë përbëjnë numrin më të madh të të huajve në vend.
Sipas raportit që u referohet të dhënave të muajit gusht të këtij viti, 291.868 emigrantët shqiptarë rezultojnë me leje qëndrimi të vlefshme në Greqi dhe përbëjnë 61,4 % të të huajve të rregullt.
Sipas Minsitrisë greke për Migracionin dhe Azilin, në të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i shqiptarëve me leje qëndrimi të vlefshme ishte dukshëm më i lartë.
Rënia e numrit të emigrantëve të rregullt shqiptarë në Greqi pas një viti lidhet jo vetëm me procedurat e lëshimit të lejeve të qëndrimit , por edhe me një dinamikë lëvizjeje të shqiptarëve që punojnë e jetojnë në Greqi drejt vendeve të tjera evropiane.
Shumë shqiptarë që jetonin prej vitesh në Greqi kanë emigruar kohët e fundit drejt vendeve të Evropës veriore dhe drejt Britanisë pas vështirësive në Greqi me punësimin dhe rritjen e çmimeve. /VOA/