Lajme
Grenell në veri: Problemet nuk zgjidhen në Bruksel, por këtu – ndërkombëtarët duhet t’i dëgjojnë serbët
Demokracia
19:09 | 22 Qershor 2023

Share:

Ish-i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka vlerësuar sot, pas bisedës me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, se për të depërshkallëzuar situatën në veri, komuniteti ndërkombëtar duhet të dëgjojë serbët dhe se sipas tij, lidershipi amerikan është i nevojshëm në zgjidhjen e situatës.

Në fjalën e tij para gazetarëve pas takimit me Listën Serbe, Grenelli tha se ka dëgjuar shumë shqetësime të serbëve në veri.

“Jam i frustruar që këtu nuk ka bashkësi ndërkombëtare. Pse nuk erdhi komuniteti ndërkombëtar për t’i dëgjuar këta njerëz? Pse nuk janë këtu për të parë se cilat janë problemet reale? Ju duhet t’i dëgjoni këta njerëz. Kam dëgjuar shumë shqetësime”, tha ai.

Ai shprehu besimin se bashkësia ndërkombëtare do të vijë dhe do të dëgjojë serbët, sepse kjo është e nevojshme për të arritur përparim.

“Për dikë që nuk është më në qeverinë amerikane, i cili e ndjek situatën nga anash, është zhgënjyese të shohësh se si situata është përkeqësuar ndjeshëm në tre vitet e fundit. Ne ishim në rrugën e duhur, duke u fokusuar në normalizimin ekonomik, besojmë se populli i Kosovës, serbët dhe shqiptarët duan paqe, punë të mira, që fëmijët e tyre të qëndrojnë dhe të punojnë dhe të kenë një jetë të mirë. Ata nuk kërkojnë shumë”, theksoi ai.

Grenelli vuri në dukje se politika e manovrimit duhet të ndalet dhe të përqendrohet në progresin ekonomik, në të cilin ai e sheh zgjidhjen.

“Unë po i kërkoj BE-së të përqendrohet në çështjet ekonomike. Unë gjithashtu i bëj thirrje qeverisë së SHBA-së të vijë këtu dhe të dëgjojë njerëzit. Asgjë nuk mund të zëvendësojë lidershipin amerikan, për të cilin ne kemi nevojë tani. Unë shoh një rrugë të qartë për përparim, për de- përshkallëzimi, dhe duhen disa hapa të guximshëm”, tha ai.

Të ngjashme