Barazia
Gratë në Maqedoninë e Veriut, peng i mungesës së kapitalit fillestar për themelimin e biznesit
Demokracia
13:03 | 07 Nëntor 2021

Share:

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Maqedoninë e Veriut është në rritje numri i grave sipërmarrëse, megjithëse gratë thonë se akoma është shumë larg arritja e një barazie me burrat në bërjen e biznesit pasi paragjykimet e bëjnë më të vështirë zhvillimin e biznesit të tyre.

Për t’i inkurajuar ato që të zhvillojnë biznesin e tyre, gratë në forma të ndryshme janë mbështetur nga institucionet e pushtetit lokal dhe atij qendror, si dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Megjithëkëtë në Maqedoninë e Veriut ekziston një dallim i madh mes numrit të bizneseve që drejtohen nga burrat dhe atyre që drejtohen nga gratë.

Një analizë e Entit të Statistikave, që realizohet në çdo dy vjet, tregon se gjatë vitit 2019 në zonat urbane dhe rurale ka rreth 17 mijë gra të vetëpunësuara apo që kanë punësuar persona të tjerë, ndërsa kjo shifër te burrat është rreth 80 mijë.

Burrat regjistrojnë kompanitë në emër të grave për të përfituar subvencione

Por, Qanije Selimi, kryetare e Grupit të Grave Afariste pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjendja është edhe më alarmante kundrejt shifrave zyrtare, pasi edhe ato pak biznese ku gratë paraqiten si themeluese, në fakt ato drejtohen nga burrat.

“Në shumë raste bizneset regjistrohen në emër të grave, por të njëjtat menaxhohen nga burrat vetëm e vetëm për të përfituar një pjesë të subvencioneve të dedikuara për rimëkëmbjen e bizneseve të grave, por e theksoj në realitet ato menaxhohen prej burrave”, thotë Selimi.

Gratë dëshmuan se janë më të afta të menaxhojnë biznese në kushte krize

Kompania e Qanije Selimit në kulmin e pandemisë gjatë vitit të kaluar është shpallur si kompania që ka shënuar rezultate më të mëdha në mesin e kompanive që menaxhohen nga gratë.

Ajo thekson se kjo tregon se gratë kanë aftësi që të menaxhojnë dhe gjejnë zgjidhje në situata më të vështira duke shfrytëzuar çdo resurs sado i vogël të jetë.

“Biznesi im e mori këtë çmim në vitin më të vështirë, pra në kohë pandemie. Asnjëherë s’e kisha paramenduar se në një kohë kaq të vështirë do të dekorohem me këtë çmim. Suksesin ia dedikoj asaj se nuk u dekurajova nga problemet, por tërë kohën isha e fokusuar si të ecja para edhe atëherë kur gjërat nuk shkonin sipas planit, duke aktivizuar çdo potencial me të cilin disponoja”, tregon Selimi.

Gratë thonë se lufta më e vështirë mbetet luftimi i paragjykimeve me të afërmit si rrjedhojë e bindjeve patriarkale se gruaja është për punë shtëpie, e jo për biznes.

Zhivka Gjurcinovska nga fshati Tumçevisht i Gostivarit tregon për radion Evropa e Lirë se se bashkëshorti i saj nuk ka qenë aspak i lumtur kur ajo i ka treguar se mendon të hapë biznesin e saj në formë të pavarur.

Ajo tani disponon me disa krerë lopë dhe merret me prodhimin e qumështit dhe produkteve nga qumështi.

“Burri më tha: Ç`të duhet të merresh tani me biznes, çka të mungon, ke gjithçka?! Por, unë isha ambicioze dhe doja që të dëshmoja se edhe unë kam aftësi dhe mund të zhvilloj dhe ta drejtoj një biznes timin dhe të siguroj të ardhura në mënyrë të ndershme. Më besoni se më e vështirë në fillim ishte lufta që duhej të bëja me familjarët pasi më paragjykonin. Paragjykimet janë pjesë përbërëse gjatë zhvillimit të biznesit të një gruaje”, thotë Gjurçinovska.

Mungesa e kapitalit fillestar sfidon gratë për të hapur biznes

Biljana Petroska Mitrevska nga Federata e Fermerëve thotë se mbetet problematik zhvillimi i bizneseve nga gratë, pasi ato nuk disponojnë pronë në emrin e tyre dhe vështirë arrijnë të sigurojnë kapitalin fillestar.

“Shqetësues është fakti se vetëm 5 për qind e tokës bujqësore është në emër të grave. Kjo gjendje e bën shumë më të vështirë fuqizimin e gruas në viset rurale. Pasi duhet filluar nga diku dhe gruaja veçanërisht nga vendet rurale duhet të fillojë nga asgjëja, gjë që e bën shumë të vështirë ngritjen e një biznesi në këmbët të veta”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Biljana Petroska Mitrevska, nga Federata e Fermerëve.

Përmes programit të Ministrisë së Bujqësisë, 250 gra të viseve rurale janë ndihmuar me grant prej 3 mijë eurosh, mjete këto të pakthyeshme .
Zhivka Gjurcinovka thotë se për të marrë ndihmë prona duhet të figurojë në emër të gruas dhe këtë ajo e ka arritur pas blerjes së një parcele tokë pas disa vjetësh punë.

“Aplikova dhe fitova një grant fillimisht prej 3 mijë eurove për blerjen e një pajisjeje, e cila shërben për thyerjen e lajthive që pasi të pastrohen lajthitë nga gëzhoja, si produkt të gatshëm t`ua ofrojmë lokaleve gastronomike”, thotë Gjurcinovska.

Organizatat që në fokus kanë të drejtat e grave theksojnë se në Maqedoninë e Veriut duhet të hapen linja të veçanta financiare për gratë, për inicimin e bizneseve personale në mungesë të kapitalit fillestar.

Të ngjashme