Kosova duhet të themelojë institucionet e reja sa më shpejt që është e mundur, thotë drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), Jacob Granit.
Në një intervistë për KosovaPress, Granit thotë se mungesa e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, e pengon vendin në diskutimet me Bashkimin Evropian për procesin integrues, si dhe dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.
Kosova edhe tre muaj pas zgjedhjeve, për shkak të mosmarrëveshjeve politike nuk po arrin të konstituojë Kuvendin, rrjedhimisht edhe formimin e qeverisë së re.
“E dimë që qeveria është në proces të formimit dhe e kuptojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi një qeveri të re sa më shpejt që të jetë e mundur, duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet politike në vend dhe përtej tij. Shpresojmë që shumë shpejt të kemi një qeveri të re në vend. Të udhëheqësh një vend pa qeveri është gjithmonë një sfidë, sepse administrata publike dhe institucionet vazhdojnë punën e tyre dhe mandatin e tyre, por mungon drejtimi politik. Kjo e pengon vendin në diskutime të rëndësishme me fqinjët [Serbinë] për dialogun e normalizimit, por edhe në dialog me Bashkimin Evropian, si një mbështetës kyç i përparimit të vendit drejt anëtarësimit në BE. Pra, është e rëndësishme të kemi një qeveri në vend sa më shpejt për të drejtuar të gjitha institucionet publike në vend”, thekson ai.
Zyrtari suedez thotë se Kosovës i duhet një qeveri solide që negocion me Bashkimin Evropian për largimin e masave ndëshkuese, të cilat blloku i ka vendosur Kosovës më vitin 2023.
Përkitazi me këtë, ai thekson se këto masa ndaj Kosovës duhet të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Sa më shpejt të kemi një qeveri në vend, aq më mirë, por kjo është një trajektore afatgjatë drejt anëtarësimit në BE, dhe nuk mendoj se do ta ndalë apo komprometojë atë proces. Megjithatë, është mirë të kemi një qeveri solide për të lehtësuar këtë proces, veçanërisht sa i përket të gjitha masave që janë vendosur. Është më mirë të ketë një qeveri që mund të negociojë për këto masa dhe të sigurojë që ato të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur”, shton drejtori i SIDA-s.
Madje, ai deklaron se edhe mosdisbursimi i mjeteve të para-fianancimit të BE-së për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërlidhet me masat ndëshkuese që i janë vendosur Kosovës.
Ai përmend edhe nevojën për përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ratifikimin e këtyre marrëveshjeve në Kuvend.
Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata.
“Sa e kuptoj unë, lidhet me masat që janë vendosur, të cilat BE-ja dëshiron t’i shohë si pjesë e përparimit të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe çështje të brendshme. Prandaj, është e rëndësishme të adresohen ato masa sa më shpejt për ta rifilluar dialogun i cili mbështetet nga BE-ja dhe gjithashtu nga Suedia, në mënyrë që rruga drejt anëtarësimit të përshpejtohet. Kjo do të lirojë edhe financimin. Financimi nga Plani i Rritjes dhe IPA janë të lidhura me statusin e masave, kështu që në këtë aspekt janë të ndërlidhura” thekson ai.
Krahas këtyre, drejtori i SIDA-s thotë se Suedia e mbështetë Kosovën për të vendosur një administratë publike të qëndrueshme, shoqëri civile funksionale dhe komunitet më të fortë biznesi.
Duke folur për rolin eAgjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA) në Kosovë, Granit tha se japin mbështetje të konsiderueshme në fushën e statistikave, auditimit ndërkombëtar, inspektimeve të punës si dhe çështje të mjedisit.
“Ne po japim mbështetje të konsiderueshme përmes agjencive tona publike në Suedi në bashkëpunim me homologët e tyre këtu në Kosovë. Për shembull, në fushën e statistikave, auditimit ndërkombëtar, inspektimeve të punës dhe çështjeve të mjedisit. Shohim që partneriteti mes autoriteteve qeveritare suedeze dhe atyre në Kosovë është shumë i rëndësishëm. Po ashtu, kemi një fokus të madh në qeverisjen lokale, ku punojmë bashkë me BE-në për të forcuar ofrimin e shërbimeve nga qeveritë lokale. Ka projekte shumë premtuese, me shumë energji nga qeveritë vendore për të ofruar shërbime. Pra, nga njëra anë, administrata publike është kritike. Nga ana tjetër, po punojmë për të forcuar komunitetin e biznesit këtu në Kosovë – për të krijuar mundësi që kompanitë kosovare të rriten dhe të punësojnë më shumë gra në veçanti. Po ashtu, po sigurojmë që ato të kenë mundësi eksporti drejt Suedisë dhe BE-së, gjë që është thelbësore sepse përmes saj forcohet partneriteti ynë. Shohim fusha të tjera të rritjes që mund të jenë të rëndësishme, si në sektorin e energjisë. Në të gjithë Evropën, tranzicioni drejt energjisë së gjelbër është i rëndësishëm për të dekarbonizuar ekonominë dhe për të gjetur mundësi për energji të rinovueshme dhe stabilizimin e sistemit energjetik. Këto janë fusha që dëshirojmë t’i eksplorojmë më tej. Po ashtu, fokusohemi shumë, dhe këtë e kemi bërë për një kohë të gjatë, në mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile në fusha si kultura, trashëgimia kulturore, filmat dhe kinemaja. Gjithashtu në barazinë gjinore – fusha në të cilat vazhdojmë të bashkëpunojmë me partnerët e shoqërisë civile”, thekson ai.
Ai përmend edhe mbështetjen për Fondin e Garancisë Kreditore të Kosovës, e po ashtu nivelin lokal për vendosjen e shërbimeve bazike, duke përfshirë zhvillimin e bujqësisë, furnizimin me ujë, kanalizimet.
Drejtori i SIDA-s thotë se paketa bazë e mbështetjes për vitin 2024 në formë granatesh për Kosovën ishte rreth 10 milionë euro. Sipas tij garancia për këto projekte është 15 milionë euro me shpresë që do të gjenerojë të paktën 60 milionë euro investime.
“Po, janë shumë projekte që mund të përmenden, por një në veçanti që ka qenë shumë interesant, është Fondi i Garancisë së Kosovës, ku kemi mbështetur rikthimin e garancive për Fondin e Garancisë Kreditore të Kosovës. Ne i kemi mbështetur ata për disa vite me radhë, dhe ata ofrojnë garanci për bankat. Arrijmë të përfshijmë mbi 95% të sektorit financiar në Kosovë për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe komunitetin e ndërmarrjeve të sapokrijuara. Pra, kjo ka qenë një mënyrë e rëndësishme për të siguruar më shumë financim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë në zhvillim, duke krijuar vende pune. Mendoj se ishte një program shumë inovativ për të garantuar më shumë financim për investime të mira dhe të qëndrueshme. Jemi krenarë që kemi mundur të mbështesim Kosovën në vendosjen e këtyre shërbimeve bazike, përfshirë furnizimin me ujë dhe kanalizimet, sepse janë parakushte për të ndërtuar një shoqëri funksionale. Në këtë aspekt, vlerësimi i ndikimit është ajo që shohim sot – një infrastrukturë shumë më e fortë fizike, që mundëson arsim, shkolla dhe shërbime solide për të gjithë. Po, kur bëhet fjalë për bujqësinë, kemi bërë mjaft investime ndër vite. Kosova është tani në një fazë të pjekur, prandaj mbështetja jonë në këtë sektor do të fokusohet kryesisht te bizneset – mbështetja e zinxhirëve të vlerës, mundësive të eksportit dhe forcimit të komuniteteve të biznesit në bujqësi. Paketa bazë për vitin 2024 në formë grantesh për Kosovën ishte rreth 10 milionë euro, dhe kjo është plotësuar me instrumentin e garancisë, i cili nuk është shumë i kushtueshëm por gjeneron shumë financim. Garancia është 15 milionë dhe, me shpresë që do të gjenerojë të paktën 60 milionë investime”, thekson ai.
Ai deklaron se SIDA është e interesuar për të krijuar një mjedis të mirë në Kosovë ku të rinjtë mund të qëndrojnë, të punojnë dhe zhvillohen në vendin e tyre.