Dy persona mbetën të lënduar nga një shpërthim i një granate dore që ndodhi mbrëmë në Mitrovicën e Veriut.
Nga shpërthimi që ndodhi shtatë veturave që ishin në atë zonë iu shkaktuan dëme materiale, e në njërën nga to u panë edhe njolla gjaku që dyshohet se kishin mbetu aty nga të lënduarit.
Mjeti shpërthyes që u gjuajt mbrëmë u njoftua se është M75 granatë dore e prodhimit jugosllav/serb.
Granata të tilla prodhohen gjerësisht në vendet e ish-Jugosllavisë, e të tilla ishin gjetur edhe në shtator të 2023-ës në Banjskë të Zveçanit.
Në mesin e arsenalit të armëve që kishte konfiskuar Policia e Kosovës pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator, ishin parë me dhjetëra mjete shpërthyese të tilla.
BIRN kishte bërë një hulumtim mbi armatimin që ishte gjetur në afërsi të manastirit të Banjskës në Zveçan.
Ekspertët ushtarakë të Kosovë, të cilët folën në kushte anonimiteti kishin shpjeguar në detaje se si përdoren e ku prodhohen armët që u gjetën nga Policia.
Njëri nga ta kishte shpjeguar edhe fuqinë që ka një granatë dore sikurse ajo që shpërtheu mbrëmë në Mitrovicë të Veriut.
Eksperti kishte thënë se një granatë e tillë ka në vete 33 gramë eksploziv me 3 mijë copëza të vogla.
Ai kishte shpjeguar se distanca vrasëse e këtij mjeti shpërthyes shkon deri në 15 metra.
Po ashtu, sipas ekspertit, vonesa e shpërthimit pas aktivizimit të një granate të tillë nuk zgjat më shumë se 4 sekonda.