Sport
Gramoz Vokrri kandidat për kryetar të FFK-së: Ky është vendimi i tij?
Demokracia
14:36 | 08 Shkurt 2022

Share:

Federata e Futbollit e Kosovës ende nuk ka bërë publike datën e zgjedhjeve për kryetar të këtij institucioni.

Kuvendi zgjedhor i FFK-së pritet të mbahet kah mesi i këtij viti, atëherë kur edhe përfundon mandatit kryetari aktual Agim Ademi, mirëpo, tashmë në opinion qarkullojnë shumë zëra se kush mund të jetë kundërkandidat i Ademit për kryetar të FFK-së.

Ditë më parë u tha se Afërdita Fazlija mund të jetë kandidate, madje edhe mosvazhdimi i kontratë së saj si përzgjedhëse e Kombëtares A tek femrat lidhej pikërisht me këtë gjë, megjithatë së fundmi ka dal një emër i ri që mund ta synojë pozitën e të parit të FFK-së.

Fjala është për djalin e legjendës së futbollit tonë, Fadil Vokrrit, Gramozin. Ai mësohet se ka nisur të marr mbështetjen e disa klubeve për ta udhëhequr futbollin tonë.

Vokrri në një bisedë për Demokracia.com nuk e ka mohuar por as pohuar që e synon këtë pozitë.

“Fillimisht ne nuk kemi një datë të zgjedhjeve. Kur ajo të mësohet mund të jap një koment rreth kësaj”, ka thënë Vokrri. I pyetur nga gazeta nëse ai ka ndonjë informatë se kur pritet të mbahet Kuvendi, ai ka thënë se sa ka njohuri në mesin e këtij viti skadon mandati i kryetarit aktual, derisa një muaj më parë veç duhet të shpallet data e zgjedhjeve, por sigurisht që për detaje duhet t’i drejtohemi FFK-së pasi ata e dinë më saktë se kur do të mbahet Kuvendi.

Por cili është disiplinimi i klubeve që Gramozi të marrë postin e kryetarit, post këtë që dikur e kishte mbajtur legjenda Fadil Vokrri, Gramozi ka thënë se ka shumë raporte të mira me klubet, por që këto raporte në asnjë moment nuk lidhen me kohën e zgjedhjeve.

“Unë kam kontakte dhe raporte shumë të mira me klubet. Këto raporte nuk janë nga tash, ato kanë ekzistuar edhe më herët. Pra raportet e mija me klubet nuk lidhën aspak me kohen e tanishme, kontaktet kanë qenë shumë më herët”, ka përfunduar Gramoz Vokrri. /Demokracia.com

Të ngjashme