Lajme
Gra të përdhunuara e të djegura dhe fëmijë të vrarë, përjetimet e para të masakrës në Bucha, çfarë panë gazetarët kur mbërritën
Demokracia
11:21 | 04 Prill 2022

Share:

Ukraina akuzoi të dielën forcat ruse për kryerjen e një “masakre” në qytetin e Bucha. Zyrtarët vendas shprehen 400 civilë janë gjetur të pajetë deri më tani në rajonin e Kievit, ndërsa përpjekjet për të gjetur trupa të tjerë janë të vështira sepse rusët kanë vendosur mina në zona të ndryshme.

Ministria ruse e mbrojtjes mohoi akuzat e Ukrainës, duke thënë se pamjet dhe fotografitë që tregojnë trupat në Bucha ishin “një provokim tjetër” nga qeveria ukrainase, shkruan newsbomb.al. Rusia kërkoi që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mblidhej të hënën për të diskutuar atë që Moska e quajti një “provokim nga radikalët ukrainas”.

Ndër të parët që shkuan në Bucha pasi ushtarët ukrainas njoftuan se kishin rimarrë nën kontroll qytetin, ishin gazetarët e agjencisë europiane “Reuters”.

Ata panë trupa me rroba civile të shtrirë në rrugët e Buçës ose gjysmë të varrosur në tokë. Duart dhe pjesët e tjera të trupit mund të shiheshin duke u nxjerrë nga dheu. Në rrugë trupat e shtrirë pranë biçikletave tregonin se banorët nuk e kishin menduar atë që do të ndodhte dhe kishin qenë duke bërë xhiro kur janë vrarë.

Ushtarët ukrainas fotografonin njëri-tjetrin pranë automjeteve të blinduara ruse, të djegura plotësisht. Kryebashkiaku i Buchas, Anatoliy Fedoruk, u tregoi gazetarëve dy kufoma me leckë të bardhë të lidhur rreth krahëve, një prej të cilave duket se ishte qëlluar në gojë dhe ishte lënë ashtu i shtrirë në rrugë.

Oleksiy Arestovych, një ndihmës i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, tha se trupat ukrainase kishin gjetur trupat e grave që ishin përdhunuar dhe djegur, si dhe trupat e zyrtarëve lokalë dhe fëmijëve.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës i bëri thirrje Gjykatës Ndërkombëtare Penale të mbledhë prova për ato që ai i quajti krime lufte ruse, ndërsa ministrat e jashtëm të Francës dhe Britanisë thanë se vendet e tyre do të mbështesin çdo hetim të tillë, shkruan newsbomb.al.

Tanya Nedashkivska, një grua ukrainase u tregoi gazetarëve të Reuters se si bashkëshorti i saj Vasyl Ivanovych, i cili shërbente në marinë, u vra nga ushtarët rusë në Bucha.

Ajo tha se e kërkoi për ditë pasi u arrestua nga ushtarët rusë, përpara se ta gjente në bodrumin e një ndërtese ku ishin shtrirë dy trupa të vdekur. Tanya tregoi se e njohu atë nga atletet dhe pantallonat e tij.

“Ai dukej i gjymtuar, trupi i tij ishte i ftohtë. E përmbysa pak. Ai ishte qëlluar në kokë, ishte gjymtuar e torturuar.”

Autoritetet ukrainase kanë thënë se shumë prej trupave janë gjetur me duar të lidhura, dhe me plagë me armë zjarri nga një distancë e afërt dhe shenja torture. Ushtarët rusë u futën në Bucha në ditët e para të pushtimit dhe qëndruan zgjuar deri më 30 mars.

Prokurorët ukrainas ishin në gjendje të hynin vetëm në qytetet Bucha, Irpin dhe Hostomel për herë të parë të dielën dhe atyre u duhet më shumë kohë për të përcaktuar shkallën e krimeve, tha prokurorja e përgjithshme Iryna Venedyktova.

Një banor i cili refuzoi tu jepte emrin gazetarëve nga frika për sigurinë e tij, tha se ushtarët rusë shkuan nga ndërtesa në ndërtesë dhe nxorën njerëzit nga bodrumet ku ishin fshehur. Kontrolluan telefonat e tyre për ndonjë provë të aktivitetit anti-rus dhe më pas i qëlluan për vdekje, shkruan newsbomb.al.

Gazetarët e Associated Press panë trupat e të paktën 21 personave në vende të ndryshme rreth Bucha. Mënyra e ekzekutimit bënte fjalë për të njëjtën dorë.

Edhe Motyzhyn, një qytet pranë Buchas, banorët i thanë Associated Press të dielën se trupat ruse vranë kryebashkiaken e qytetit, burrin dhe djalin e saj. I hodhën trupat e tyre në një gropë në një pyll me pisha, pas shtëpive ku forcat ruse kishin fjetur për disa ditë.

Brenda gropës, gazetarët panë katër trupa njerëzish që dukej se ishin qëlluar nga një distancë e afërt. Bashkëshorti i kryebashkiakes kishte duart të lidhura pas shpine, me një copë litar të gjetur aty pranë dhe një copë plastmasi të mbështjellë rreth syve.

Të ngjashme