Auto&Tech
Google prezanton harta të reja me definicion të lartë – del në treg edhe ridizajnimi i Android Auto
Demokracia
08:14 | 07 Janar 2023

Share:

Google prezantoi një version të ri HD të shërbimit të saj Maps për makinat me sistemin operativ Android Automotive. Hartat e reja HD do të ofrojnë shenja më të detajuara rrugore, lokalizim e vijës së korsisë, barrierave dhe shenjave rrugore. Funksioni do të debutojë në modelet Volvo EX90 dhe Polestar 3 dhe do të përfitojë nga sensorët e lidarit, radarit dhe kamerave në vetura për të siguruar një përvojë më të sigurt drejtimi.

Demoja e hartave HD të Volvo-s tregon se përdoruesit do të marrin një model të detajuar të automjetit të tyre në ekran, i cili imiton të gjitha veprimet e ndërmarra nga shoferi. Hartat HD do të jenë në dispozicion vetëm në veturat që përdorin Shërbimet Automobilistike të Google.

Hartat HD do të funksionojnë gjithashtu së bashku me veçorinë Pilot Assist të Volvo-s dhe platformat e ardhshme të drejtimit autonome nga prodhues të tjerë makinash për të siguruar përvojën më të mirë të drejtimit në veturat e asistuara dhe autonome. Automjetet Volvo dhe Polestar përfitojnë gjithashtu veçori të kontrollit në distancë nëpërmjet pajisjeve shtëpiake inteligjente të Google, raporton Arena EV, transmeton Telegrafi.

Përdoruesit do të mund të kërkojnë nga Google Assistant të ngrohë makinat e tyre, të kontrollojë përqindjen e baterisë dhe të gjitha llojet e veçorive të tjera të dobishme. Funksioni i kontrollit në distancë do të debutojë në SHBA dhe do të vijë në tregje të tjera më vonë këtë vit. Google gjithashtu njoftoi se aplikacioni i ri Waze për Android Automotive është tashmë në dispozicion tek veturat Renault Austral Hybrid dhe Megane E-Tech.

Në lajmet lidhur me këtë, Google njoftoi se pamja e saj e ridizajnuar me ekran të ndarë të Android Auto po shpërndahet zyrtarisht për përdoruesit. Pamja e re e Android Auto ishte e kufizuar më parë tek testuesit beta që nga nëntori.

Volvo EX90 using Google HD maps

Ndërfaqja e re e “Android Auto UI” u jep përparësi aplikacioneve me ekran të ndarë për navigimin dhe riprodhimin e përmbajtjes, në mënyrë që të mos keni nevojë të kaloni vazhdimisht ndërmjet aplikacioneve gjatë drejtimit të automjetit.

Disa makina do të mbështesin deri në tre panele aplikacionesh në të njëjtën kohë, ndërsa të tjerat do të marrin vetëm dy aplikacione krah për krah. “Google Assistant”, njoftimet dhe biblioteka e aplikacioneve tuaja do të jenë lehtësisht të qasshme në dok.

Të ngjashme