Sport
“Goldallimi mund ta vendosë titullin”, analistët flasin për luftën mes Ballkanit e Dritës
Demokracia
10:41 | 13 Maj 2023

Share:

Kur kanë mbetur vetëm edhe tri xhiro deri në fund të Superligës së Kosovës në futboll, çështja se kush do të kurorëzohet me titullin e kampionit është tërësisht e pa qartë. Kjo për shkak se Ballkani dhe Drita po luftojnë kokë më kokë për titull, ndërsa e ndajnë kreun e tabelës me nga 66 pikë.

Analistët dhe trajnerët e futbollit kosovar parashikojnë luftë të ashpër mes këtyre dy skuadrave deri në xhiron e fundit.

Analisti Genc Sermaxhaj, duke folur për KosovaPress, nuk e përjashton mundësinë që fituesin e titullit ta përcaktojë golaverazhi mes këtyre dy skuadrave.

“Por, e shoh ndoshta më shumë Ballkanin si favorit meqë i luan dy ndeshje si vendas, ndaj Llapit e Ferizajt, por ndeshjen e fundit e luan në Gjilan por nëse të dy ekipet, edhe Drita edhe Ballkani deri në fund i fitojnë ndeshjet, atëherë e përcakton fituesin e titullit goldallimi që në këtë rast Drita e ka goldallimin më të mirë. Por, e shoh Ballkanin si ekip ndoshta që mund ta fitojë më lehtë këtë titull, sepse i luan dy ndeshje vendas dhe në bazë të lojës, të cilën e aplikon, mënyrës së saj, atëherë mendoj që mund të jetë një hap më afër titullit duke u bazuar gjithashtu në ndeshjen e fundit të kësaj xhiroje që e mundi Dritën si vendas duke dëshmuar me cilësi dhe lojën të cilën po e aplikon… Pra, Ballkani mund të jetë një hap më afër titullit se sa Drita, por nëse të dy ekipet i fitojnë të tri ndeshjet atëherë varet goldallimi, që në këtë rast Drita është me katër apo pesë më e mirë se sa Ballkani”, thotë Sermaxhaj.

Trajneri Muhamet Dragusha më shumë përparësi në luftën për titull i jep Dritës. Ai thotë se diferenca e golave shkon në favor të skuadrës gjilanase, derisa thekson se do të ishte dështim i madh nëse ky ekip nuk shpallet kampion i Kosovës.

“Drita ka qenë në përparësi shumë më të madhe javën e kaluar, kurse në ndeshjen e fundit Ballkani e bëri të pamundurën, të mundur…Por, përparësi përsëri ka Drita, pasi e dimë se në çoftë se me pikë të njëjta përfundon kampionati, atëherë Drita shpallet kampion, arsyet dihen. Por, sigurisht se Ballkani do ta ndjekë ndonjë gabim të Dritës dhe në çoftë se Drita gabon, atëherë unë mendoj se Dritës nuk duhet t’i falet asnjë moment asgjë, duke filluar nga Drejtori sportiv, po ashtu edhe trajnerët…Po e them këtë për arsye i bie një kaqmenaxhimi drejtorit sportiv me stafin që ka te ardhja e trajnerit të parë, pastaj edhe trajnerit të dytë dhe ky është një dëmtim i klubit apo i pronarëve.”, thotë Dragusha.

Për garën e ashpër mes Dritës dhe Ballkanit ka folur edhe trajneri Gani Sejdiu. Sipas tij, rruga e titullit kampion do të kalojë përmes skuadrës së Gjilanit pasi të dy pretendentët për titull do të ballafaqohen me skuadrën e Zekirja Ramadanit.

“Mendoj që është një garë reale, një garë me dy ekipe, të cilat realisht edhe janë më kualitativet këto vitet e fundit në Kosovë edhe më këtë takimin e fundit vërtetë është edhe e bukura e kampionatit sepse me një rezultat tjetër eventual atëherë gara mendoj se do të përfundon në këtë xhiron e fundit, por me fitoren e Ballkanit mendoj që e ka zbukuruar atë finishin e kampionatit e ka bërë shumë më interesant kështu që deri në takimin e fundit nuk do të dihet se kush do të shpallet kampion… Është një detaj kur realisht mund të themi se rruga e titullit për të dy ekipet kalon me Gjilanin, nëpër Gjilan, kështu që e them këtë sepse Gjilani është e cila ka fuqinë dhe ka kualitet që t’i ndal të dy skuadrat”, thotë ai.

Derbi lokal mes Dritës dhe Gjilanit do të zhvillohet nesër dhe Sejdiu thekson se në rast të humbjes, Drita mund të dorëzohet në luftën për titull.

“Orari nuk e favorizon shumë njërën apo tjetrën skuadër, çdo gjë varet prej tyre, ato janë dy ekipe që i mbajnë dy vendet e para me pikë të barabarta kështu që edhe këto tri takime, pavarësisht kundërshtarëve ato do ta tregojnë fuqinë e tyre edhe atë objektivin që e kanë, sepse tani përveç kualitetit, në këto tri takime luan rol shumë ajo pjesa psikologjike, karakteri i skuadrës, cila është në aspektin psikologjik apo mental më fe fortë edhe cila ka karakter më të fortë mendoj që do të triumfojë në fund…Pse pak e favorizoj Ballkanin, arsyeja është që ndoshta duke llogariturqë është derbi lokal Gjilani-Drita mund të prodhojë më shumë luftë, më shumë rivalitet sepse Gjilani aty jep gjithçka nga vetja, sepse është derbi lokal, kështu që pak Drita mendoj që do ta ketë më vështirë se Ballkani.”, shprehet në fund Sejdiu.

Në tri xhirot e fundit, Ballkani do të ballafaqohet me Llapin, Ferizajn dhe Gjilanin, kurse Drita do të ketë punë me Gjilanin, Malishevën dhe Drenicën.

Të ngjashme