Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duket hapur se nuk po i rrihet në Kosovë, pasi ende pa u kthyer nga vizita e saj në New York, ajo ka vazhduar të qëndrojë jashtë shtetit.
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Osmani nuk është kthyer në Kosovë, por ka ndaluar në Gjermani, në vizitën e radhës jashtë shtetit, shkruan Demokracia.com.
Presidentja Osmani kishte qëndruar në New York të ShBA-ve që nga 20 shtatori me rastin e hapjes së Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërkohë për të njëjtin qëllim ka shkuar disa ditë më vonë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pavarësisht se kanë qëndruar në të njëjtin vend, Osmani dhe Kurti nuk kanë zhvilluar asnjë takim apo aktivitet të përbashkët si përfaqësues të Republikës së Kosovës me përfaqësues të shteteve të ndryshme.
OSMANI SHKON NË GJERMANI KU KURTI NUK MUNDET
Ndonëse kanë qëndruar larg njëri-tjetrit, presidentja Osmani është munduar që ta rivalizojë Kurtin për takimet që ka zhvilluar.
Duke parë se izolimi i Kurtit sipas sanksioneve të Bashkimit Evropian ka arritur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Osmani është munduar të tregojë se ky izolim nuk vlen edhe për të. Së bashku me bashkëshortin e saj, Osmani ka arritur të dalë në fotografi të përbashkët me çiftin presidencial Biden dhe të bashkëbisedoi gjatë një darke me Sekretarin Blinken.
Dhe sikur të mos mjaftonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Osmani ende pa u kthyer në Kosovë ka vazhduar vizitat zyrtare.
Kësaj radhe ajo ka shkuar në Gjermani, në njërën nga shtetet që ka mbështetur fuqishëm sanksionet ndaj shtetit të Kosovës për shkak të politikave të kryeministrit Kurti. Në mesin e këtyre sanksioneve është edhe moszhvillimi i takimeve bilaterale, me përjashtim kur ato janë në funksion të dialogut Kosovë – Serbi.
Më 1 tetor 2024, Osmani ka njoftuar se gjatë kësaj vizite do të ketë takim pune me presidentin e Gjermanisë, Frank Walter- Steinmeier. Gjithashtu, Presidentja Osmani do të realizojë takime të ndara me ministra e deputetë gjermanë.
Po të njëjtën ditë, Osmani është takuar edhe me Ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ku rikonfirmuan partneritetin e fortë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. /Demokracia.com/
Lexo më shumë:
https://demokracia.com/izolimi-i-kryeministrit-nga-shba-dhe-be-rrugeve-te-neë-yorkut-kurti-ecen-i-vetem-dhe-i-trishtuar/