Lajme
Festivali me këngëtarë edhe nga Serbia alarmon veteranët e luftës së UÇK-së
Demokracia
19:39 | 25 Prill 2025

Share:

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shoqata e Invalidëve dhe ajo e Familjeve të dëshmorëve kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës të ndalojnë një koncert të paraparë për t’u mbajtur më 5 maj në Komunën e Dragashit, për shkak të pjesëmarrjes së këngëtarëve nga Serbia. Nëse organet nuk marrin masa, veteranët kanë thënë se do ta ndalin vetë aktivitetin.

Në një reagim publik, OVL e UÇK-së dhe shoqatat tjera kanë thënë se ngjarja bie ndesh me ndjenjat e qytetarëve dhe dinjitetin e shtetit.

“Data 5 maj është e shenjtë për popullin shqiptar, është Dita e Dëshmorëve të Kombit. Në këtë ditë, ne nderojmë me krenari dhe përulësi sakrificën sublime të bijve dhe bijave më të mirë të kombit, të cilët ranë për lirinë që ne e gëzojmë sot”, thuhet në reagim.

Veteranët e kanë konsideruar këtë organizim provokim të qëllimshëm, të papranueshëm dhe fyes.

“Çdo përpjekje për të relativizuar dhimbjen dhe sakrificën tonë në ditë të tilla përbën cenim të rëndë të ndërgjegjes kombëtare. Kjo nismë është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona kombëtare dhe historisë sonë të lavdishme të rezistencës”, thuhet në reagim.

Bazuar në publikimin e OVL-së, ky koncert do të organizohet nga “Arog Fest”. Në paralajmërimin e këtij festivali, është thënë se qëllimi është për takim që feston kulturën, traditën dhe muzikën e Gorës, Zhupës dhe Podgorës. Më 5 maj është ftuar program me të paktën pesë këngëtarë.

KOHA nëpërmjet llogarisë në Facebook dhe uebfaqes së apostrofuar, ka provuar të kontaktojë me numrin që shfaqej te kontaktet e organizatorëve. Në numrin me prefiks të Kosovës kanë thënë se janë vetëm agjenci marketingu dhe s’kanë lidhje direkte me organizimin. E në njërin numër tjetër, KOHA ka dërguar pyetje online. KOHA po ashtu në mbrëmjen e së premtes ka dërguar pyetje edhe nëpërmjet e-mailit në e-mail adresën që shfaqet në uebfaqen e festivalit. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.

Të ngjashme