Terrorizmi islamik është rikthyer për të kërcënuar futbollin spanjoll. Sipas gazetës “El Confidencial”, në fakt, shërbimet e informacionit të Guardia Civil kanë goditur javët e fundit një rrjet që synonte të sulmonte stadiumin “Santiago Bernabeu” dhe ftonte militantët e tij të qëllonin kundër lojtarëve dhe tifozëve të Real Madridit.
Nëntë persona u arrestuan në operacionin në Salt (Girona), Algeciras (Cadiz), Anta (Almeria) dhe Tenerife. Në një poster të publikuar në internet, mund të shihet një burrë me kapuç duke qëlluar në objektivin e pamjes së tij teleskopike të drejtuara drejt autobusit të Real Madridit, teksa festonte Championsin.
“Vëllai im i dashur. Prit në një vend afër pikës së mbërritjes së lojtarëve. Merri në shënjestër ata dhe tifozët e tyre”, – është mesazhi ogurzi në poster.
Në bashkëpunim të ngushtë me Europolin dhe FBI-në amerikane, operacioni i autoriteteve spanjolle synonte të shënjestronte Fondacionin e vetëshpallur “I’lam”, një nga qendrat kryesore të propagandës së lidhur me Shtetin Islamik, me radio stacione, agjenci lajmesh, kompani video, profilet e prodhimit dhe rrjeteve sociale që përhapin përmbajtje radikale në një mori gjuhësh, përfshirë spanjishten.
Shteti Islamik nuk është i huaj për këtë lloj kërcënimi dhe tashmë kishte krijuar panik prillin e kaluar duke kërcënuar se do të sulmonte stadiumet ku po luheshin çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.