Lajme
Glauk Konjufca i vizitoi të gjithë, Besnik Bislimi partiak edhe në Hagë
Demokracia
19:14 | 15 Korrik 2022

Share:

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se sot e ka vizituar në Hagë ish-deputetin e Vetëvendosjes, Rexhep Selimin.

Bislimi ka treguar se Selimin e ka gjetur të disponuar dhe me besim të plotë në drejtësi.

“Sot vizitova në Hagë mikun tim Rexhep Selimin. Si gjithnjë i disponuar dhe me besim të plotë në drejtësi”, ka shkruar ai.

Bislimi ka shtuar se Selimit nuk i kishte ikur asnjë detaj nga zhvillimet politike në Kosovë dhe ka bërë të ditur se aty e ka parë edhe Jakup Krasniqin.

“Edhe pse larg Kosovës, nuk i kishte ikur as edhe një detaj i vetëm nga zhvillimet politike në vend. Gjithashtu pashë edhe bacën Jakup që po mbahej jashtëzakonisht mirë. Tri orë ikën si 30 minuta”, ka njoftuar ai.

Bislimi nuk ka bërë të ditur nëse gjatë vizitës së tij ka pasur rastin të takojë edhe ndonjërin prej ish-krerëve të tjerë të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Për dallim prej Bislimit, kryeparlamentari Glauk Konjufca kur ishte në Hagë i kishte takuar të gjithë ish-krerët e UÇK-së që po mbahen atje. /Demokracia.com/

Të ngjashme