Lajme
Gjysma e ditës në Amerikë, Osmani e Kurti ende pa asnjë takim të ri
Demokracia
18:43 | 28 Prill 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, sot janë në ditën e dytë të vizitës së tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, siç duket, ata ende janë duke pushuar, pasi që nuk ka bërë të ditur asnjë takim të ri.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur dita e 28 e muajit prill. Aktualisht, atje tani është mesditë, raporton Demokracia.com.

Presidentja dhe kryeministri, për të cilët u prit shumë që ta vizitojnë SHBA-në, sot nuk kanë raportuar për asnjë takim, qoftë ato që i realizojnë nëpër korridore apo në ndonjë institucion me zyrtarë të ndryshëm.

Agjenda e tyre për vizitën në SHBA nuk dihet, pasi për media treguan vetëm se do të marrin pjesë në varrimin e ish-sekretares amerikane Madeleine Albright, raporton Demokracia.com.

Ceremonia mortore u mbajt gjatë ditës së djeshme dhe të dytë ishin të pranishëm bashkë me ish-presidenten Atifete Jahjaga.

Atje patën takime pak sekonda nëpër korridore me sekretarin amerikan Antony Blinken dhe siç e paraqitën në postimet e tyre në rrjete social, edhe me ish-presidentin Bill Clinton.

Megjithatë, Demokracia.com ka parë në disa video se nuk kishte takime me Clinton, por vetëm një përshëndetje dhe fotografi.

Deri më tani, Kurti e Osmani nuk janë bërë më të “gjallë” dhe nuk kanë treguar nëse kanë zhvilluar edhe ndonjë takim të ri.

Kurti para mediave në Kosovë kishte pretenduar se do të qëndrojë gjatë në SHBA dhe se po i përgatitet një agjendë e ngjeshur.

Për këtë agjendë, nuk dihet asgjë, derisa mbetet të shihet se me kë do të takohen Kurti e Osmani.

Vlen të përmendet se Demokracia.com ditë më parë kishte raportuar se Kurti është kryeministri i vetëm që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës që s’e ka vizituar SHBA-në brenda një viti qeverisës./Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme