Sport
Gjyqtari tërbon PSG-në, presidenti Al-Khelaifi godet murin me grushte
Demokracia
09:48 | 10 Mars 2022

Share:

Real Madrid-PSG ishte më shumë se një derbi për drejtuesit e klubeve. Raportet mes tyre kanë prekur fundin si pasojë e qëndrimeve të kundërta rreth projektit të Superligës Europiane të Futbollit dhe Kylian Mbappe, i cili pritet të zbarkojë te “Los Blancos” në fund të sezonit si lojtar i lirë.

Ekipi i Carlo Ancelottit fitoi 3-1 në “Santiago Bernabeu”, duke përmbysur humbjen 1-0 në Francë dhe duke u kualifikuar në çerekfinalet e Champions League. PSG zhvilloi një pjesë të dytë skandaloze dhe e meritoi eliminimin.

Gjithsesi, francezët kanë shpërthyer në protesta për mungesën e faullit te goli i barazimit të Karim Benzema, që ndryshoi ndeshjen. Ylli i Realit përfitoi nga pasiguria e Donnarummas, ndërsa arbitri i ndeshjes nuk e cilësoi të parregullt kontaktin me “gardianin” italian.

Vendimi i Danny Makkelie ka tërbuar drejtuesit e PSG-së. Presidenti Nasser Al-Khelaifi dhe drejtori sportiv Leonardo, nuk janë përmbajtur aspak pas humbjes dhe përfundimit të aventurës evropiane.

Kreu i klubit francez ka humbur qetësinë dhe ka filluar të godasë me grusht murin në dhomat e zhveshjes sipas medieve spanjolle, teksa i është afruar arbitrit holandez për t’i shprehur gjithë ankesat dhe pakënaqësitë e tij.

Al-Khelaifi për pak është kapur me duar me 39-vjeçarin dhe nuk është qetësuar as nga ndërhyrja e forcave të sigurisë, të cilët kanë tentuar të evitojnë përplasjen e madhe.

I ashpër me arbitrin Makkelie edhe braziliani Leonardo, i cili është futur në dhomën e arbitrave aty ku ka ulëritur duke kërkuar shpjegime se pse nuk u anulua goli i parë i Realit. Dëshmitarët vendosën të thërrisnin policinë, ndërhyrja e së cilës nuk u realizua. /Demokracia.com

Të ngjashme