Gjyqtari i Gjykatës Speciale, Nicollas Gillou, është në mesin e gjyqtarëve të caktuar në panelin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, që do të vendosin për urdhër-arrestin ndaj kryeministrit të Izraelit, dhe udhëheqësve të Hamasit.
Lajmi ishte bërë i ditur në faqen zyrtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, raporton Nacionale.
Përveç tij, në panel janë edhe Iulia Motoc dhe Reine Alapini-Gansou.
Nacionale kishte raportuar disa herë për gjyqtarin francez Guillou, i cili aktualisht është me pozitë edhe në Gjykatën Speciale të Hagës por edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për ta përjashtuar fillimisht gjyqtarin, ishte rrëzuar.
Megjithatë, përzgjedhja e Guillous në mesin e gjyqtarëve që do të vendosin për kryeministrin dhe ministrin e mbrojtjes së Izraelit, bashkë me udhëheqësit e Hamasit, ka bërë që mbrojtja e Thaçit të dërgojë ankesë sërish.
Avokatët e Thaçit kanë insistuar në përjashtimin e gjyqtarit francez.
“Më 20 maj 2024, prokurori i ICC-së paraqiti kërkesa për urdhër arresti para PTCI në Situata në Shtetin e Palestinës, kundër pesë individëve: Benjamin Netanyahu, Kryeministri i Izraelit, Yoav Gallant, Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yahya Sinwar. , Shefi i “Hamasit” në Rripin e Gazës, Mohammed Diab Ibrahim Al-Masri, Komandanti i Përgjithshëm i krahut ushtarak të Hamasit dhe Ismail Haniyeh, Shefi i Byrosë Politike të Hamasit”, thuhet në nisje të kërkesës së mbrojtjes së Thaçit.
Mbrojtja ka theksuar se gjyqtari francez vazhdon të jetë në listën e gjyqtarëve të punësuar në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Sipas tyre, pas kërkesës së parë të refuzuar, përfshirja e gjyqtarit Guillou në këtë rast të madh si rasti i Izraelit dhe Palestinës, ka ndryshuar komplet situatën.
“Gjykatësi Guillou u bë i paaftë për të kryer detyrat e tij para Specialepas caktimit të tij në PTCI në rastin: Situata e Palestinës më 22 prill 2024 dhe aplikimet e Prokurorit të ICC për pesë urdhër-arreste para PTCI më 20 maj 2024”, thuhet në kërkesë.
“Ndërsa vendimi i 8 prillit 2024 konsideronte se kërkesa e mbrojtjes e 14 marsit 2024 ishte spekulative dhe e parakohshme, ky arsyetim bazohej në supozimin se gjyqtari Guillou pritej të punonte me kohë të plotë në GJNP vetëm nga 19 gusht 2024. Caktimi i gjyqtarit Guillou në PTCI dhe aplikimi për pesë urdhër-arreste tani në pritje përpara kësaj Dhome, janë rrethana të reja, të cilat rrjedhimisht nuk janë parashikuar nga Presidenti i GJNP-së në vendimin e tij të 12 marsit 2024, ose deri më Kryetarja e KSK-së në vendimin e saj të 8 prillit 2024. Këto rrethana të reja tani kërkojnë zëvendësimin e gjyqtarit Guillou”, thuhet më tutje.
Mbrojtja e Thaçit muaj më parë kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Guillou, por kërkesa ishte refuzuar nga kryetarja e Gjykatës Speciale.
Njëra prej arsyeve pse nuk u përjashtua ky gjyqtar, është sepse ai nuk do të angazhohet me shërbim të plotë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare deri më 19 gusht 2024.
“Siç u përmend më lart, gjyqtari Guillou është emëruar si gjyqtar i GJNP-së dhe do të thirret në selinë e gjykatës vetëm me shërbim me kohë të plotë që nga data 19 gusht 2024. Me fjalë të tjera, çdo argument i z. Thaçi në lidhje me gjyqtarin Guillou dhe ndikimi i mundshëm që ka emërimi i tij si gjyqtar i GJNP-së në efikasitetin e procedurave përpara KSC-së janë të parakohshme”, thuhet në vendim.
“Kështu, sugjerimet e z. Thaçi në lidhje me aktivitetet profesionale që gjyqtari Guillou mund ose nuk mund t’i duhet të ndërmarrë si gjyqtar i GJNP-së para marrjes së detyrës në gusht 2024 dhe aftësisë së tij për të ushtruar funksionet e tij si gjyqtar i vetëm para KSK-së janë spekulative në natyrës. Z. Thaçi nuk ka paraqitur asnjë argument se puna e gjyqtarit Guillou si gjyqtar i vetëm është ndikuar ose se procedurat në të cilat ai është caktuar në këtë cilësi janë ngadalësuar si rezultat i emërimit të tij si gjyqtar i GJNP-së në mars 2024”, thuhet më tutje.
Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan ka kërkuar urdhër arrest për liderin e Hamasit dhe për kryeministrin izraelit Benjanim Netanjahu.
Siç raporton The Guardian, Gjykata kërkon urdhrin e arrestit ndaj Netanjahut dhe liderit të Hamasit Jahja Sinvar, nën akuzat për ‘krime lufte dhe krime kundër njerëzimit’.
Sipas Khan, Gjykata kërkon urdhër arrest edhe për ministrin izraelit të mbrojtjes, Yoav Gallant dhe për dy ish zyrtarë të tjerë të lartë të Hamasit.
Për këtë, pritet të marrë vendim gjyqtari i Speciales.