Lajme
Gjyqi për krimet e luftës në Ukrainë, ushtari i parë rus pranon fajësinë
Demokracia
18:48 | 18 Maj 2022

Share:

Ushtari rus 21-vjeçar Vadim Shishimarin, i akuzuar për krime lufte, u deklarua fajtor në gjyqin e parë që u hap në një gjykatë në Kiev që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

I pyetur në gjykatë nëse ai ishte fajtor për akuzat, përfshirë krimet e luftës dhe vrasjen me paramendim, rreshteri u përgjigj “po”.

Ai akuzohet për vrasjen e një 62-vjeçari të paarmatosur civil në rajonin Sumy të vendit.

Shishimarin, sipas raportimeve u deklarua “plotësisht” fajtor, ndërsa qëndronte pas një “kutie” xhami në sallën e mbushur të gjyqit në Gjykatën e Kievit përballë dhjetëra kamerave.

21-vjeçari, i veshur me një bluzë gri dhe me kokën e rruar, shihej ndërsa dëgjonte përkthyesin e tij teksa i lexonin akuzat.

Avokati i tij mbrojtës, Viktor Ovsyannikov, u ul në të njëjtin stol me përkthyesin.

Ndërkohë, Komisionerja ukrainase për të Drejtat e Njeriut, Lyudmyla Denisova, denoncoi faktin se disa nga vajzat e përdhunuara nga ushtarët rusë gjatë luftës kanë mbetur shtatzënë.

Nga ana tjetër, Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, thotë se 3752 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga pushtimi rus i 24 shkurtit.

Ndërsa 4062 të tjerë u plagosën sipas asaj që raporton BBC. Shumica e viktimave civile të regjistruara, u shkaktuan nga bombardimet, raketat dhe sulmet ajrore. Komisioneri i Lartë beson se numri aktual i viktimave civile në konflikt është dukshëm më i lartë./Gazeta Si/

Të ngjashme