Lajme
Gjykimi për mashtrimin e 176 blerësve të banesave, njëri i akuzuar mohon se ka shpëlarë paratë duke blerë prona
Demokracia
21:26 | 04 Maj 2022

Share:

I akuzuari Faton Orllani ka mohuar akuzën e Prokurorisë Speciale se kishte shpërlarë paratë duke blerë tokë në Prishtinë me paratë që pretendohet se u fituan nga mashtrimet ndaj 176 blerësve të banesave.

Në lidhje me këtë rast, PSRK-ja po akuzon Estrida Bunjakun, Vigan Bunjakun, Burim Vokrrin, Xhemail Arifin, Faton dhe Valon Orllanin, me veprat penale “Krim i organizuar”, “Mashtrim”, “Shpëlarje e parave”, “Shkaktim i falimentimit” dhe “Shmangie nga tatimi’, raporton Betimi për Drejtësi’.

PSRK pretendon se të pandehurit duke mashtruar blerësit kinse për shitjen e banesave me oferta të volitshme, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2,000.000,00 euro.

Një akuzë të tillë, e mohoi në seancën e së mërkurës në gjykatoren e Gjykatës Themelore në Pejë, i akuzuari Faton Orllani gjatë dhënies së mbrojtjes së tij.

Ai rrëfeu para trupit gjykues se familja e tij merrej me tregti para luftës, se kishte një gjendje të mirë ekonomike dhe se pronat i kishte blerë me paratë që i kishte fituar me nder.

I akuzuari tregoi se së bashku me vëllezërit e tij, në vitin 2009 kishte blerë dy prona në Prishtinë në Lagjen “Qendresa” me paratë që kanë rrjedhë nga biznesi i familjes së tij dhe jo nga ndonjë  burim kriminal, derisa mohoi se njihte të akuzuarit Estrida Bunjaku, Xhemail Arifin dhe Burim Vokrrin.

“Pas bisedimeve me Januz Gjinocin (shitësin) e kemi bërë pazar dhe ia kemi bërë pagesën në xhirollogari shumën prej 80 mijë euro. Burimi i të ardhurave ka qenë biznesi familjar dhe pasi pas luftës fitimi vjetor kam pas prej 15 deri 20 mijë euro”, tha i pandehuri Orllani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai shtoi se para blerjes së këtyre pronave, kishte pasur shtëpi në lagjen “Dragodan”, në Tregun e Gjelbër dhe 5 ari tokë në fshatin Llukar, pronë kjo e cila ishte pasuri familjare mirëpo evidentohej formalisht në emër të të akuzuarit- vëllait të tij Valon Orllani.

I akuzuari tha se të akuzuarën Estrida, për herën e parë e kishte parë në Gjykatën Komunale, derisa kishte qenë i ftuar fillimisht si dëshmitar në këtë rast.

Prokurorja speciale, Habibe Salihu e ballafaqoi të akuzuarin me pyetjet në lidhje me veturën “Hyunday”. Kjo veturë, sipas të akuzuarit kishte qenë në emër të vëllait të tij-të akuzuarit, Valon Orllani mirëpo sipas tij  pronare juridike e kësaj veture ishte Estrida Bunjaku.

Ai shtoi se i akuzuari Valon kishte qenë shofer personal i të akuzuarës Estrida dhe më pas këtë veturë ia kishte kthyer të njëjtës.

Seanca e radhës u caktua më 20 maj 2022.

Fillimisht, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por që më pas ai është deleguar në kompetencë të Gjykatës në Pejë, për shkak të numrit të madh të të dëmtuarve, si dhe faktit se në mesin e tyre ka edhe gjykatës, andaj dhe për t’i ikur ndonjë konflikti eventual.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, dhe Burim Vokrri ngarkohen me veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Mashtrim”, pasi që sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2,000.000,00 euro.

Një gjë e tillë, sipas aktakuzës, ishte arritur përmes paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet, gjë që i ka shtyrë personat e tjerë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, dhe ka sjellë në lajthim rreth 176 qytetarë duke iu paraqitur oferta të volitshme për shitjen e banesave, në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se fillimisht Estrida Bunjaku, e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN “ERA”, ndërkohë më 14 tetor 2009, ka regjistruar edhe kompaninë “Venis-O-GR”, SHPK, sipas të cilës kjo kompani ka pasur për veprimtari primare ndërtimin e lartë dhe të ulët, përmes të cilës, sipas prokurorisë ka filluar aktiviteti i grupit të organizuar kriminal, i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Estrida Bunjaku.

Prokuroria pretendon se këta tre të pandehur fillimisht, të dëmtuarve iu kanë ofruar nënshkrimin e para-kontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet, me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave, në afatin e paraparë si në para-kontratë 12-18 muaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, paraprakisht të dëmtuarit kanë qenë të detyruar që mjetet financiare në shumë më të vogël prej 5 mijë euro e deri në shumën më të madhe prej 200 mijë euro, t’i paguajnë në xhirollogarinë e kompanisë “Venis O – Group” dhe në xhirollogarinë personale të të pandehurës Estrida Bunjaku, e që përmes zyrtarëve të vet këto shuma i ka tërhequr brenda ditës.

Ndryshe, Estrida Bunjaku, Xhemail Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani dhe Faton Orllani, akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”, ashtu që mjetet financiare në shumën e lartcekur, duke ditur se burojnë nga aktiviteti kriminal, duke tentuar t’i konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë.

E pandehura Estrida Bunjkau, në pikën e tretë të aktakuzës ngarkohet edhe për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i falimentimit”, ashtu që si person përgjegjës në organizatën e biznesit, duke ditur paaftësinë paguese të organizatës së biznesit, me shpenzim joracional të mjeteve apo transferimin e tyre me çmim tejet të ulët, ngarkim të tepruar me borxh, apo marrjen përsipër të detyrimeve joproporcionale, ka shkaktuar falimentimin e subjektit të saj biznesor “Venis O – Group” sh.p.k, biznes ky që, sipas aktakuzës, është themeluar me qëllim të përfitimeve financiare të kundërligjshme.

Ndërsa, po e njëjta, në pikën e katërt të aktakuzës, ngarkohet me kryerjen e veprës penale “Shmangie tatimi”, në vlerë prej 80 mijë e 610 euro e 50 centë, ashtu që me qëllim të fshehjes së pjesshme të obligimeve buxhetore, në emër të pagesës së tatimit të të gjitha llojeve që kërkohen me ligj ka dhënë të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të saj dhe fakteve të tjera relevante rreth gjendjes financiare. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme