Lajme
Gjykimi në Hagë: Prokuroria ka afat deri në shtator të shkurtojë listën e dëshmitarëve
Demokracia
20:38 | 17 Qershor 2024

Share:

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka afat deri në muajin shtator që të dërgojë një listë të përditësuar të dëshmitarëve dhe si planifikon ta vazhdojë rrjedhën e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Nga Gjykata Speciale kanë thënë se nuk mund të dinë se deri kur pritet të zgjasë ky proces, meqë nuk e kanë ende numrin e dëshmitarëve që planifikon të ketë mbrojtja. Ndërkohë që në Kosovë e shohin si shkelje të të drejtave të njeriut mbajtjen në paraburgim të të akuzuarve për shumë vite.

Në muajin e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së vendosi që të heq dorë nga 10 dëshmitarë dhe dëshmitë e 13 dëshmitarëve të tjerë të dorëzohen me shkrim.

Një listë me sa më pak dëshmitarë që pritet të dëgjohen në këtë proces pritet t’i dorëzohet Gjykatës Speciale deri në shtator të këtij viti. Nga ky institucion me seli në Hagë, në një përgjigje për Dukagjinin, kanë thënë se është e pamundur të dihet se deri kur mund të zgjasë i tërë gjykimi, porse kanë thënë se trupi gjykues vazhdimisht ka lëshuar urdhra për Prokurorinë që ta përshpejtojë dinamikën dhe ecurinë e rastit.

“Në këtë pikë është e pamundur të thuhet se sa do të zgjasë gjykimi i përgjithshëm në rastin Thaçi etj. Prokuroria ka bërë me dije se do të duhet deri në prill të vitit 2025 për paraqitjen e çështjes së tyre. Duke pasur parasysh këtë afat, Trupi Gjykues ka lëshuar disa urdhra për të përmirësuar sa më shumë rastin. Për shembull, Trupi Gjykues më 29 maj urdhëroi Prokurorinë që të japë një njoftim sesi synon ta përmirësojë më tej çështjen e saj deri më 16 shtator 2024. Paneli më pas do të caktojë një konferencë për statusin për të dëgjuar parashtresat e palëve lidhur me të. Numri i saktë i dëshmitarëve që do të thërrasë Prokuroria për të paraqitur rastin e tyre nuk dihet dhe listat e dëshmitarëve janë konfidenciale. Deri më 27 maj 2024, Prokuroria kishte paraqitur 67 deklarata të dëshmitarëve dhe kishte njoftuar në gjykatë se synon të paraqesë edhe 104 deklarata të tjera. Megjithatë, siç u shpjegua, sapo ata janë urdhëruar nga Trupi Gjykues që të japin një njoftim sesi të përmirësojnë më tej çështjen e tyre. Pasi Prokuroria të ketë paraqitur çështjen e tyre, ekipet e mbrojtjes do të paraqesin rastet e tyre. Deri më tani, nuk ka të dhëna se sa dëshmitarë synojnë të thërrasin ekipet mbrojtëse për të dëshmuar dhe sa kohë do të zgjasë”.

Ndërkohë, që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se deri më 21 qershor do të dorëzohet një plan i detajuar sesi do të vazhdohet me rastin deri në vitin e ardhshëm.

ZYRA E PROKURORIT TË SPECIALIZUAR

“Në konferencën statusore të 27 majit, trupi gjykues urdhëroi ZPS-në të dorëzojë një plan të detajuar deri më 21 qershor 2024, duke përshkruar se si synon të paraqesë rastin e saj deri më 1 prill 2025 dhe të paraqesë një njoftim të mëtejshëm për listën e dëshmitarëve jo më vonë se 16 shtator 2024. Dorëzimi më i fundit i ZPS-së për dëshmitarët është nga 21 maj 2024 (https://ëëë.scpks.org/sites/default/files/public/content/publicredactedversionofprosecutionnoticeofëitnesschanges.pdf). Informacioni që ju intereson në lidhje me numrin e dëshmitarëve do t’i dorëzohet gjykatës në një dosje jo më vonë se 16 shtator 2024”.

Shkurtimi i listës së dëshmitarëve në këtë proces po vlerësohet i duhur, meqë sipas Amer Aliajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare, dëgjimi i të gjithë dëshmitarëve të prokurorisë do të merrte shumë vite kohë.

“Për arsye sigurisht të kursimit të kohës, tanimë prokuroria gjatë shqyrtimit ka hequr dorë nga dëgjimi i disa dëshmitarëve dhe edhe tani prokuroria do ta reduktojë listën e propozuar të dëshmitarëve, sepse prokuroria ndoshta nuk ka nevojë të dëgjojë më shumë dëshmitarë për rrethana të njëjta dhe do të kursehet koha”, ka deklaruar Amer Aliaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

E sipas avokatit të akredituar Taulant Hodaj, zgjatja e këtij procesi e lënia në paraburgim e të akuzuarve është shkelje e të drejtave të njeriut.

“Tani pothuajse jemi që 4 vite të ndaluar dhe kemi praktikën e gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut që nuk duhet të mbahen në kohë të paarsyshme në ndalim pa një vendim gjyqësor, dhe konsideroj se nëse bëhen 5 vite dhe ende nuk kemi vendim në bazë të praktikës së gjykatës evropiane konsiderohet se është në kundërshtim me konventën për të drejtat e njeriut”, ka theksuar Taulant Hodaj, avokat i akredituar.

Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ka nisur në prill të vitit 2023, deri sa në paraburgim janë që nga viti 2020. Për një vit e dy muaj janë dëgjuar rreth 105 dëshmitarë, në mesin e tyre edhe deklaratat e dëshmitarëve që ishin pranuar në prova me shkrim.

Të ngjashme
Lajme • 26 Qershor 2024