Lajme
Gjykata Themelore në Gjilan e ajo në Ferizaj vazhdojnë grevën
Demokracia
14:52 | 17 Mars 2022

Share:

Stafi administrativ i Gjykatës Themelore të Gjilanit dhe Ferizajt sot kanë hyrë në ditën e tretë të grevës, ku përmes saj po kërkojnë që kërkesat e tyre të plotësohen.Kjo grevë ka pezulluar thuajse të gjitha seancat, me përjashtim të rasteve të natyrës urgjente si paraburgimet, dhunë në familje, ekzekutimet sipas urdhëresave dhe pranimi i parashtresave të ankesa me afat.

Po ashtu, përjashtim bëjnë edhe seancat në rastet kur gjykatësit mund t’i mbajnë bashkë me praktikantë.

Ndryshe, më 1 mars fillimisht ka nisur grevën stafi administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku në konferencën për medie të mbajtur po atë ditë nga Naim Rrustemi, kryetar i Shoqatës Sindikale të gjykatës në fjalë, u tha se greva nuk ka të bëjë me çështje politike, se po ndodhë pa vullnetin e tyre dhe se do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Kërkesat tona janë: Aprovimi i Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive duke u bazuar në Projektligjin për Plotësim dhe Ndryshim të Ligjit për Zyrtar Publik; Përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve; Pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga; Pagesa e shujtës ditore prej 3 euro dhe pagesa e udhëtimit prej 3 euro”, ka thënë Rrustemi.

Këtë grevë, Sindikata e Pavarur e Judikaturës, njoftoi se nuk e përkrah, me arsyetimin se është e njëanshme. Kurse, më pas, SPJK njoftoi se greva e pezulluar më 2018, do të vazhdojë të mbetet e pezulluar deri më 14 mars.

Kurse, më 14 mars 2022, Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës (SPJK) ka njoftuar se nga 15 marsi 2022 të gjitha gjykatat dhe prokuroritë në Kosovë, do të hyjnë në grevë. /BetimiPërDrejtësi

Të ngjashme
Lajme • 05 Maj 2024