Gjykata Supreme e ka rikthyer masën pezulluese mbi punën e Hidrocentralit në Brezovicë. Kështu ka njoftuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe ka bërë të ditur se Gjykata ka konstatuar se arsyetimi i aktvendimit të Gjykatës së Apelit është i mangët dhe jo bindës.
“Gjykata Supreme ka konstatuar se nuk mund të aprovohet si i drejtë dhe ligjor qëndrimi juridik i gjykatës së Apelit, pasi që nuk ka arritur t’i vlerësojë dhe peshojë të gjitha rrethanat që parashihen në nenin 22 të Ligjit për Konfliktet Administrative në mënyrë kumulative, si dhe ka konstatuar se arsyetimi i aktvendimit të Gjykatës së Apelit është i mangët dhe jo bindës mbi faktet vendimtare.” shkruante në njoftimin për media të GLPS-së.
Tutje thuhej se sipas Supremes paditësit kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm dhe se se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për Hidrocentralin në Brezovicë nuk ishte kundër interesit publik.
“Ky Aktgjykim i Gjykatës Supreme është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Shtërpcës! Sepse do të thotë që me pezullimin e lejes ujore për HC Brezovica, kompania ndërtuese nuk mund të aplikojë për leje mjedisore, lëshimi i të cilës është parakusht për të operuar hidrocentrali. GLPS dhe GAIA kanë dërguar padi vetëm kundër lejes ujore për Hidrocentralin Brezovica, sepse është e vetmja që kanë pranuar deri më tani nga Ministria e Mjedisit, edhe pse që gati një vit kërkojnë lejet ujore për hidrocentralet tjera në Shtërpcë, pra hidrocentralet Sharri, Shtërpca dhe Viça. ”
Sipas GLPS-së lejet dhe aktet e tjera të Ministrisë janë dhënë në shkelje flagrante të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të marrë pjesë në vendimet për mjedisin ku jetojnë. Kjo sepse, siç deklarojnë, qytetarët e Shtërpcës nuk janë njoftuar sipas ligjit se do të mbahet debati publik për kaskadën e Hidrocentraleve në Shtërpcë.
“Po ashtu, e drejta për shfrytëzim të ujit është dhënë pa koncesion, apo pa partneritet publiko– privat, edhe pse kjo gjë obligohet me ligj në mënyrë që edhe shteti i Kosovës të përfitojë të hyra nga shfrytëzimi i ujit! Kundër ligjit, Ministria ka lëshuar leje ujore ku vetëm kompania private do të përfitonte – gjë e konfirmuar tashmë edhe nga Raporti i vetë Ministrisë. Pastaj, lejet janë lëshuar pa u bërë kurrfar studimi i prurjes së pranueshme ekologjike, pa instalim të pajisjeve matëse, pastaj raporti i VNM-së (vlerësimit të ndikimit në mjedis) ka qenë tejet i dobët dhe joreal, si dhe shumica e ndërtimeve janë bërë buzë lumit, në kundërshtim me ligjin.”
Nga GLPS u bëjnë thirrje qytetarëve që të mbikëqyrin zbatimin e këtij vendimi dhe t’i lajmërojnë në rast se Hidrocentrali në Brezovicë vazhdon operimin pavarësisht vendimit të Gjykatës.