Lajme
Gjykata Supreme e ShBA-së do të vendosë nëse Trumpi mund të garojë për president
Demokracia
08:37 | 06 Janar 2024

Share:

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka thënë se do të shqyrtojë një rast historik për të përcaktuar nëse ish-presidenti Donald Trump mund të garojë në zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

Gjykatësit e gjykatës më të lartë amerikane vendosën që ta marrin në shqyrtim ankesën e Trumpit kundër një vendimi të Kolorados për ta larguar atë nga fleta e votimit në këtë shtet, raporton televizioni BBC.

Rasti do të shqyrtohet në shkurt dhe vendimi për të do të vlerë për mbarë vendin.

Përmes padive në disa shtete të ShBA-së po synohet që Trumpi të diskualifikohet nga zgjedhjet, duke argumentuar se ai ishte përfshirë në kryengritje gjatë trazirave në Capitol para saktësisht tre vjetëve.

Vendimi i Gjykatës Supreme për ta shqyrtuar apelin e Trumpit erdhi pasi prokurorët e përgjithshëm nga 27 shtete amerikane paraqitën një kërkesë, duke kërkuar nga Supremja që ta refuzonte vendimin e Kolorados.

Në këtë kërkesë, prokurorët argumentojnë se largimi i Trumpit nga fleta e votimit “do të krijonte kaos të gjerë”.

“Në mënyrën më të qartë, kjo fut huti në një cikël zgjedhor që është vetëm disa javë larg”– thuhet në kërkesë.

Amendamenti i 14-të i Kushtetutës së ShBA-së ia ndalon mbajtjen e pozitave publike të gjithë personave që “janë angazhuar në kryengritje ose rebelim”, por avokatët e Trumpit pretendojnë se kjo nuk vlen për presidentët.

Trumpi ka paraqitur ankesë edhe kundër një vendimi të zyrtarëve zgjedhorë në shtetin Maine për ta larguar atë nga fleta e votimit.

Pas njoftimit të Gjykatës Supreme të premten, sekretarja e Shtetit e Kolorados, Jena Griswold, tha se ajo e kishte certifikuar fletën e votimit në këtë shtet për zgjedhjet paraprake presidenciale dhe se emri i Trumpit ndodhet në fletë.

Zgjedhjet paraprake mbahen në secilin shtet të ShBA-së dhe ndikojnë që të përcaktohet se cilët kandidatë do të marrin pjesë në garën përfundimtare në nëntor.

Të ngjashme